Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka thënë se sektori i Shëndetësisë, sipas tij, është njëri ndër sektorët në gjendjen më të rëndë në vend, njofton Llapi.info.
E kjo, sipas Haziri, nuk po ndodhë për faj të mjekëve, por për shkak të keqmenaxhimit.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Haziri ka deklaruar se mjekët po vazhdojnë të mos i keni mjetet e punës, për çka siç ka thënë ai, faji është tek politika dhe tek ministrat që udhëhoqën me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Në shumicën e rasteve, buxheti i dedikuar për blerje është shfrytëzuar vetëm 50 për qind nga ana e Ministrisë. Mjekët hynin në sallë të operimit, pa pasur as fasha të nevojshme, teksa buxheti i ministrisë nuk shfrytëzohej. Në pothuajse secilën të gjetur në raportet e auditimit ndër vite, ministria e Shëndetësisë, është hasur në këtë problematikë. Kjo pastaj ka krijuar edhe situatën, kur u shfaq pandemia COVID-19, e gjeti sektorin e shëndetësisë, totalisht të papërgatitur”, ka thënë ai.
“Ky sektor, është parë nga politika, ose si vend ku rehatohen zyrtarët partiakë, duke i bërë ministra, anipse nuk e kanë pasur as dijen më të vogël për shëndetësi, ose si mundësi e artë për keqpërdorime e vjedhje nëpër tenderë. Rrjedhimisht, kemi ardhur në situatë ku qytetarët tanë, 20 vjet pasluftës, në masë dërmuese, kërkojnë shërim jashtë vendit”, ka thënë ai në Kuvend.
“Ka pasur raste kur pacientët futeshin në salla të operimit, teksa familjarët e tyre, obligoheshin të dilnin dhe të blenin edhe fasha, për shkak që ministria nuk i furnizonte repartet e QKUK-së, as me këto gjëra. Pse ka ndodhur kjo? Në gjetjet e auditorit, pothuajse në secilin vit, kanë dhënë kritika për Ministrinë e Shëndetësisë, për mosshfrytëzim të buxhetit të dedikuar për blerje të barnave”, thotë ai. “Për më tepër, se çfarë prioritetesh kanë pasur për shëndetësi, na dëshmon edhe Hashim Thaçi me Adem Grabovcin, kur ky i fundit i kërkon të parin që t’ia rehatojë dajën. Si përfundim, sektorit të Shëndetësisë, ashtu si sektorëve tjerë, i duhet një menaxhment i ri. I duhet një menaxher që sjell rezultate si në Komunë të Prishtinës. I duhet një person që e kupton çka do të thotë Shëndetësia dhe ta dijë rëndësinë e saj. Më shumë se kurrë, Kosovës, i duhet një person që di dhe dëshiron të punojë me mjekët për përmisimin e kësaj gjendje të rëndë, të cilën e sollën këta”, përfundoi Haziri./Llapi.info