Shefi i Grupit parlamentar nga radhët e VV-së në Podujevë, Fitim Haziri, ka thënë se Komuna e Podujevës ka dështuar të funksionalizojë Spitalin e Qytetit i cili ishte premtuar, njofton Llapi.info
Haziri në foltore në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal ku u debatua për Rialokimin e buxhetit për vitin 2018, ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje i sheh si problematikë anulimin e disa projekteve të rëndësishme e njëra nga to është mungesa e stafit në spitalit.
“Pajisjet mjekësore në shumë prej 50 mijë eurove kjo tregon se ju keni dështuar në funksionalizimin e spitalit të premtuar, që i keni mashtruar qytetarët se do ta funksionalizoni. Është e kotë t’i kesh pajisjet e mos të kesh stafin”, ka thënë Haziri.
Përveç kësaj, Haziri ka përmendur edhe projekte të tjera të cilat nuk kanë arritur të finalizohen e që tani janë anuluar, siç është edhe vendosja e shenjave të komunikacionit.
“Shenjëzimet horizontale dhe vertikale ne si Lëvizje Vetëvendosje para dy muajve kemi marrë një aksion simbolik për këtë çështje. Në lidhje më këtë në mungesë të shenjave sinjalizuese të komunikacionit kemi pasur një numër të madh aksidente, bile edhe me fatalitet. E sot të propozohet që mjetet e destinuara për këtë kategori të hiqen është absurditet”, ka thënë ai.
Haziri më tej, ka potencuar se raporti financiar në gjashtëmujorin e parë për këshilltarët ka qenë shqetësues, si rezultat i ecurisë jo të mirë të projekteve kapitale.
“Në gjashtë mujorin e parë janë shpenzuar vetëm 9.47 % te mjeteve te planifikuara buxhetore për vitin 2018. Kjo tregon ashtu siç ju patëm thënë se ju as nuk dini të planifikoni e as nuk dini të punoni. Kjo çka po shihet është një dështim total në realizimin e investimeve kapitale. Tani ne jemi në muajin shtator ku na paraqitet ky propozim vendim për rialokim të mjeteve buxhetore nga disa projekte. Në projekte të tjera nuk na jepen sqarime se për çfarë arsye janë anuluar këto projekte dhe pse barten në projekte tjera”, theksoi Haziri./Llapi.info