Sot është asfaltuar edhe segmenti i fundit i rrugës kryesore “Zahir Pajaziti” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Edhe pse vetëm për zgjerim, asfaltim dhe infrastruktura përcjellëse punimet kishin nisur në muajin maj, sot është asfaltuar në kushte të reshjeve të shiut.
E për këtë ka reaguar, shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së në Podujevë dhe kandidati për deputet nga ky subjekt politik, Fitim Haziri.
Haziri, në një postim në Facebook e ka quajtur keqpërdorim të taksave, teksa ka përmendur edhe kohën kur ishte ri-shtruar me asfalt në kohë fushata pa ndonjë vendim komunal.
“Gjithë verën rruga Zahir Pajaziti për nga pluhuri i ka ngjarë ndonjë shkretire afrikane, ndërsa sot komuna paska zgjedhur pikërisht ditën me shi për ta asfaltuar të njëjtën rrugë. Krejt situata bëhet më tragjike kur kësaj i shtohet fakti që e njëjta rrugë është shtruar vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Kjo është papërgjegjësi e madhe, ky është keqpërdorim i taksave dhe djersës së qytetarëve të Podujevës. Kjo mendësi e kjo poshtërsi duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar ai, duke publikuar fotografitë që shihet uji që ka “kapluar” pjesën duke u asfaltuar./Llapi.info