Komuna e Podujevës ende s’e ka nënshkruar zyrtarisht kontratën për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, derisa kontrata e parashikuar është në shqyrtim, raporton Llapi.info.

Për festat e fundvitit, komunave të Kosovës po u kushton me mijëra euro stolisja e qyteteve. Për nga shpenzimet, prinë kryeqyteti.

Edhe Komunës së Podujevës vit pas viti i ka kushtuar më shtrenjtë. Madje, në vitin paraprak Podujeva i pati ndarë 9 mijë e 945 euro për dekorimin e qytetit. Sivjet, kjo komunë, sipas njoftimit për kontratë, ka parashikuar t’i shpenzojë plot 9 mijë e 980 euro.

Kjo shumë, kësaj radhe është propozuar të shkojë krejt diku tjetër. Të shkojë aty për bamirësi. Buxheti i planifikuar për këtë kategori, është propozuar të shkojë për zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.

Këtë propozim përpara asamblesë komunale në seancën e fundit të Kuvendit Komunal e ka dhënë shefi i grupit të këshilltarëve të LVV-së, Fitim Haziri. Ky i fundit ka thënë se duke e ditur dëmin e madh nga tërmeti, mjetet për dekorim të destinohen për Shqipërinë.

“E mbështesim çdo iniciativë që merret qoftë nga ana e kryetarit, qoftë nga ana e Kuvendit Komunal që t’u dalim në ndihmë vëllezërve tanë, se tani dihet dëmi është i madh. Tani është faza e ndërtimit të objekteve që janë shkatërruar. Një propozim konkret e kishim dhënë, që projekti për dekorimin e qytetit për fundvit, ato mjete të destinohen për ndërtimin e shtëpive atje, duke ia bashkangjitur pjesës tjetër që propozohet nga kryetari ose nga Kuvendi”, ka thënë ai.

E pas këtij propozimi, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, ka thënë se ky është variant që mund të bëhet, pasi që sipas tij, procesi i dekorimit është në prokurim.

“Disa komuna e ka propozuar që dekorimi për fundvit të mos bëhet, ndërsa ne e kemi dekorimin e qytetit që është në proces të prokurimit, por nëse vendoset që kjo shumë të shkohet është një variant që mundet të barten”, ka thënë Muçiqi.

Duhet theksuar se edhe Komuna e Hanit të Elezit tashmë ka vendosur që këtë vit të mos dekorohet qyteti, ndërsa buxheti i paraparë të ndahet do të shkojë për qytetarët në nevojë në Shqipëri.

Ndryshe, 52 është numri i viktimave nga tërmeti 6.4 ballësh që ka goditur Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit. Po ashtu, nga ky tërmet janë lënduar qindra persona dhe janë evakuuar mijëra banorë nga shtëpitë e tyre, derisa shumë shtëpi e pallate janë të pabanueshme./Llapi.info