Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet Projektbuxheti për vitin 2022, ka përmendur projektet që do të realizohen në Podujevë, shkruan Llapi.info.
Ai ka thënë se gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti do të ndërtohet Spitali i Përgjithshëm i Podujevës, Zona Industriale dhe sipas Hazirit, në vitin e ardhshëm do të kryhet komplet zgjerimi i rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë.
“Pasi jemi duke diskutuar për Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2022. Do të fokusohem në projektet që do të realizohen dhe finalizohen në rajonin e Llapit dhe Gollakut. Projektet që është dashur të harrohen që moti, e që janë premtuar zakonisht në kohë fushatash nga qeveritë e kaluar dhe asnjëherë nuk kanë përfunduar, e disa as që kanë nisur. Përfundimi i punimeve të magjistrales Prishtinë – Podujevë do të përfundojë në krejtësisht në vitin e ardhshëm. Buxheti për finalizimin e kësaj rruge është zotim i qeverisë dhe do ta ketë financimin e nevojshëm varësisht prej dinamikës së implementimit. Tash ka nisur studimi i fizibilitetit për këtë rrugë, ku do të përfshihet shpronësimi i tokave, projekti dhe kostoja e urave në këtë magjistrale. Do të vazhdohet me ndryshime të projekteve në planifikimin e nënkalimeve dhe mbikalimeve me kosto të lartë me rrethrrotullime, si dhe vend-stacioni për autobusë. Kjo rrugë, përveç se do të bëhet me shpejtë, do të bëhet e kualitet më të mirë se sa që është punuar deri më tani”, është shprehur Haziri.
“Projekt tjetër është ndërtimi i Spitalit, i cili do të ndërtohet gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti. Buxheti për ndërtimin e këtij Spitali do të sigurohet nga kreditë e buta, ashtu siç e ka potencuar edhe ministri Murati. Projekt tjetër me rëndësi është edhe Zona Industriale, ku do të sigurohet me grantin nga Ministria e Industrisë. Ky projekt do të fillojë në vitin 2022”, ka përfunduar ai./Llapi.info