Kritika të shumta janë drejtuar për ekzekutivin e Komunës së Podujevës për mënyrën e shpenzimit të buxhetit, kur po diskutohej pika për kornizën afatmesme buxhetore 2020-22 në seancën e Kuvendit, njofton Llapi.info
Komunarët thonë se buxheti është i orientuar në kahun e duhur, e mendim krejt ndryshe kanë partitë opozitare në asamblenë komunale.
Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi, para kuvendarëve ka prezantuar Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të cilën tha se buxheti i komunës së Podujevës për vitin 2020 është rritur.
Sipas Latifit, buxheti i përgjithshëm i Komunës së Podujevës për vitin 2020 është planifikuar të jetë 23,957, 419 euro.
Por, mënyrën e orientimit të buxhetit dhe planifikimet nuk ia kanë mbushur syrin këshilltarëve opozitarë.
Një varg kritikash ka dhënë shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri në drejtim të ekzekutivit. Sipas tij, që nga paslufta, siç ka thënë ai, është punuar në asfalt dhe jo në projekte zhvillimore ekonomike.
“Kjo qeverisje, siç po shihet qysh prej pas luftës mendësia e saj është që nuk dinë me dalë përtej asfaltit dhe kanalizimit. Vazhdimisht qytetarëve iu është paraqitur asfalt e kanalizim. Të gjitha do të realizofshin nëse do të bëhej planifikimi. Ju edhe nëse do t’i kishi 500 milionë ju nuk do të dinit t’i shfrytëzoni për qytetarët e Podujevës. Kjo tregon mirë buxheti për investime kapitale. Vitin e kaluar keni arrit 68 për qind e buxhetit t’i realizoni për këto investime. Nuk dini të planifikoni dhe të punoni”, ka thënë Haziri.
Fjalimi i tij paraqiti tensione tek drejtorët e Drejtorive. Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në këtë Komunë, Mirsad Kamerolli duke hequr ‘barrën’, ka fajësuar nivelin qendror për mos-mbështetje.
“Buxheti i ka kufizimet e veta, s’qëndrojnë ato se ne nuk dimë të planifikojmë. Janë dy faktorë: Mbështetjen për projekte zhvillimore nga ana e qeverisjes qendrore është zero. Nuk ka nivel qendror që s’kemi bërë përpjekje për mbështetje. Si Komunë s’kemi gjetur mbështetje në asnjë institucion qendror për projekte zhvillimore”, ka shtuar Kamerolli.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha, e që ky i fundit i thuri lavde vetit.
“Është reale se në drejtorinë time që më së pakti 80 njerëz i kam në zyre për projekte infrastrukturore. Kishim pas dëshirë me i pas nja 10 milionë euro veç për subvencione në bujqësi. Por, paraprakisht s’e kemi infrastrukturën ende dhe ju garantoj 99.99 për qind e qytetarëve kërkojnë asfaltime rrugësh. E di se si është gjendja për çdo fshat të Podujevës, jo të qesim vetëm zi dhe t’i shikojmë të gjitha ngjyrat. Prioritet për qytetarë është infrastruktura, kështu kjo që u tha se s’ka profesionalistë, unë them se asnjë në Podujevë nuk e keni më profesionalist se mua, nuk keni”, ka thënë ai.
Ndërsa, në një replikë, Fitim Haziri përkundër asfaltimeve për 20 vjet, ka thënë se edhe cilësia është jashtë standardeve, dhe sipas tij, ka raste kur është dëmtuar asfalti i sapo shtruar.
“Shqetësimi që unë e ngrita është keq se qe 20 vite vazhdimisht ka investime në infrastrukturën rrugore. E nëse flasim për investime edhe për standardet, bëhen standarde me cilësinë më të dobët. Nëse je aq profesional, pse kur e shtroni një rrugë s’e shtroni ashtu siç kërkohet. Edhe në trashësi e edhe për gjerësinë, e jo me bë shtigje për biçikleta. Shekullin 21 shtroni rrugë me tri metra gjerësi, kjo është e papranueshme dhe këto janë standarde që i praktikoni. Ka ndodhë që rastet që sot e keni shtru asfaltin keni dashur me riparu, as 24 orë s’janë bërë ai asfalt ka dështuar. Me të vërtetë se mendësia e juaj është vetëm në asfalt e kanalizim, ju duhet t’iu ofroni qytetarëve pavarësisht kërkesave që iu ndihmojnë në zhvillim ekonomik, jo asfalt. Asfalti që ju jeni përqendruar është se me siguri aty po e keni edhe leverdinë”, ka thënë Haziri.
Pas hedhjes në votim, korniza afatmesme buxhetore me shumicë votash u miratua në Kuvend.
Ndërkohë, Llapi.info pati raportuar ekskluzivisht para disa javësh kur në rrugën “Ilir Konushevci” ishte meremetuar asfalti, por që vetëm pas disa orëve i njëjti ishte dëmtuar dhe është larguar nga kompania kontraktuese./Llapi.info
Lexo edhe: Ndodhë në Podujevë: Prishet asfalti i riparuar sot