Kryetari i Komunës së Gjilanit, që është edhe nënkryetar në LDK, Lutfi Haziri ka thënë se kritikat e drejtuara në adresë të Qeverisë që drejtohet nga bashkëpartiaku i tij, Avdullah Hoti, kanë janë bërë me qëllim të mirë.
Haziri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar se ai ka kërkuar reagim më agresiv në menaxhimin e pandemisë, pasi, sipas tij, kjo situatë nuk mund të menaxhohet më politika të buta, çfarë bën kryeministri Hoti.
Haziri i cili ka qenë shumë i ashpër ndaj Qeverisë lidhur me menaxhimin e pandemisë, duke e vlerësuar edhe “katastrofik” ditë më parë punën e Qeverisë në menaxhimin e pandemisë, ka thënë se aktivizimi i Planit Kombëtar nga Qeveria, është ajo çfarë ai ka kërkuar.
“Nuk është kritikë dashakeqe, është kritikë qëllimmirë, sepse Hoti edhe si politikan, edhe si njeri aplikon qeverisje të butë, që është vlerë e tij, dhe këtë e ka marrë nga LDK. Pandemia kërkon agresivitet në menaxhim. Më vjen mirë që Qeveria ka marrë vendim për aktivizimin e Planit Kombëtar, nuk mundet pandemia të menaxhohet vetëm me Ligjin e Infeksioneve, sepse është i ngushtë dhe i pamjaftueshëm t’i zgjidhë problemet”, ka thënë ai në këtë intervistë.
Nënkryetari i LDK-së, ka thënë se është kundër ndalimit të qarkullimit të qytetarëve, pasi sipas tij, edhe modeli që ka përdorë Qeveria Kurti ka qenë “i pamjaftueshëm dhe i dështuar”.
“Unë jam kundër qarkullimit të lëvizjes së njerëzve, ka nevojë për kontroll, më shumë të ketë mekanizma të emergjencave civile, inspektorë komunalë, zyrtarë komunalë, inspektorë sanitarë, ekipe të mjekëve dhe policisë… dhe nuk ka nevojë të bllokohet ekonomia”, ka thënë ai.