Deputeti i VV-së, Fitim Haziri, ka thënë se mbi 1 mijë të rinj llapjanë nuk janë furnizuar me letërnjoftime për zgjedhjet e 29 nëntorit në Podujevë.

Për këtë, Haziri ka kritikuar të parin e MPB-së, Agim Veliun, i cili sipas Hazirit, po e përdor pozitën e ministrit “për ta pamundësuar ndryshimin e madh të së dielës”.

“Frika nga humbja e pashmangshme e zgjedhjeve të së dielës, ua ka humbur arsyen zyrtarëve të LDK-së. Përveç provokimeve, asfalltit e premtive boshe, Agim Veliu po e përdor edhe pozitën e ministrit, për ta pamundësuar ndryshimin e madh të së dielës.

Mbi 1 mijë llapjanë të rinj nuk janë pajisur me dokumente të identitetit, ani pse aplikimi i tyre është bërë muaj më parë. Arsyetimi që u është dhënë është qesharak. Ata e dinë që shumica e rinisë llapjane, e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, andaj nuk u janë dhënë letërnjoftimat, që të votojnë me datën 29.
Por, kot e kanë. Ndryshimi do të vijë, kjo gjë është e sigurtë. Përkundër abuzimit të tij me pozitë zyrtare”, ka shkruar ai.

Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen të dielën, derisa në garë janë tre kandidatë./Llapi.info