Një azilant nga Kosova, Florim Shehu është kthyer në hero të banorëve të komunës së vogël të Changé-s, pasi shpëtoi dy familje nga përmbytjet që goditën rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë vikendit.

Florim Shehu, i cili jeton prej tre vitesh në Francë, rrëfeu për mediumin francez Ouest France ngjarjen e së dielës në fshatin Change.

“Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën. Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj”, nis rrëfimin Shehu.

Pasi e pa gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, Florim Shehu braktisi veturën e tij Peugeot 205 – të cilën tentonte ta shpëtonte nga vërshimet – dhe shkoi për të shpëtuar fqinjët e tij në lagje, transmeton albeu.com.

Kur arriti në derën e shtëpisë, Florimi e kuptoj se gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm.

“Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje një muajsh”, tregon Florim Shehu.

Përkundër vërshimeve të mëdha, azilanti nga Kosova arriti t’i shpëtonte tre njerëzit që ishin bllokuar brenda shtëpisë së tyre dhe i kishte çuar ata në shtëpinë ku ai banonte.

Apartamenti ku ai jeton prej shtatorit të vitit të kaluar me gruan dhe dy fëmijët e tij, gjendet në katet e larta të një ndërtese në fshat dhe nuk ishte i prekur nga vërshimet.

Në këtë moment, Florimit i kërkoi ndihmë një mik i tij nga Parisi.

Ai i kërkon kosovarit që t’i ndihmonte familjes së tij që jetonte në fshatin Change “Ishte djali i fqinjëve të mi që më thirri nga Parisi.

“Ai më kërkoi ta ndihmoja familjen e tij që ishte bllokuar në shtëpinë e tij”, u shpreh Florim Shehu.

Në kohën kur ai shpëtoi njerëzit e tjerë që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, vetura e Florimit ishte bartur nga uji dhe kishte përfunduar në lum.

Mirëpo, aksioni i kosovarit nuk u ndal me kaq.

Ai shpëtoi edhe tre fqinj të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon.

Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk mund ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai u fut nga dritaret, prej nga edhe i nxori tre vetë që ishin ngujuar në këtë banesë.

Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet. “Është heroi ynë!”,deklaroi fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.

Mediat franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris.