Janë hequr rrethojat që bllokonin hyrjet në sheshin kryesor të qytetit të Podujevës, të cilat ishin vendosur për shkak të sigurisë gjatë punimeve, shkruan Llapi.info.
Këto rrethoja janë larguar para pak minutash nga kompania e kontraktuar nga Komuna, derisa është zhbllokuar hyrja në këtë shesh. Pjesa e parë e ndërtimit të këtij sheshi thuajse ka përfunduar, ndërkohë që punimet po vazhdojnë në pjesën e dytë afër ish-objektit të Komunës.
Duhet theksuar se fillimi i ndërtimit të sheshit pati nisur në janar të vitit 2020.
Ndërkohë, ditë më parë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se punimet pritet të përfundojnë në muajin korrik, për t’u përuruar Bulevardi i Dëshmorëve.
“Punimet në realizmin e projektit Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” në qendrën e qytetit, po shkojnë drejt finalizimit. Pas përfundimit të punimeve në njërën pjesë të bulevardit, ku ditë më parë u mbollën edhe drunjtë dekorativë, kompania punëkryerëse është duke vazhduar punimet me dinamikë të shtuar në pjesën tjetër të bulevardit të segmenti i Rrugës “Zahir Pajaziti” nga kryqëzimi i Rrugës “Dr.Bajram Krasniqi”, kryqëzimi i rrugës “Ilir Konushefci” deri te kryqëzimi i Rrugës “Xhemajl Mustafa. Në bazë të dinamikës së zhvillimit të punimeve, besojmë se në muajin korrik, koha kur në vendin tonë vijnë edhe bashkatdhetarët, qyteti ynë do ta ketë të finalizuar projektin e ndërtimit të bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” – shëtitoren në qendrën e qytetit”, ka shkruar ai./Llapi.info