Nga: Kopi Kyçyku

Gjatë historisë së tyre turqit sunduan vende me qytetërim të lashtë, si Persia, Egjipti, Mesopotamia, Anadolli, Evropa Lindore etj. dhe qytete të famshëm, si Buharaja, Ispahani, Delhi, Samarkanda, Tabrizi, Bagdadi, Jerusalemi, Moska, Konstandinopoja, Athina, Damasku, Budapesti etj.

Në kulturën shpirtërore të popullit turk dallohen tri periudha: paraislamike, islamike dhe moderne. Sidomos në periudhën e parë, për shkak të kontakteve të gjera me qytetërime të ndryshëm, letërsia turke gati-gati njësohet me përkthimin e veprave të krijuesve më në zë indianë, kinezë e persë.

Burimet e shkruara flasin për legjenda etnike të turqve të lashtë, që të bëjnë të mendosh për vetëqënien e një letërsie, e cila ka pasqyruar trashëgiminë e miteve e të jetës endacake, me luftërat, gostitë, gjahun, ritet etj.

Letërsia turke islamike u shtri në një hapësirë të gjerë: nga Turkestani Lindor në Azinë e Vogël, në Evropën Lindore, në Ballkan e në Indi. Ajo mori fill me letërsinë didaktike e fetare, mjaft e thjeshtë e popullore.

Më pas, aty nga fundi i viteve ‘300, pason një finesë kulturore, gjithnjë sipas modelit persian; lulëzon poezia e artit oborrtar, ajo erotike e mistike, për të shënuar kulmet e veta qysh në vitet ‘400-‘500. Është koha kur vrrullon historiografia, e cila merret me himnizimin e arritjeve turke në lëmin ushtarak. Kjo njihet nën emrin periudha klasike. Letërsia vazhdon të ndikohet përherë e më dukshëm nga simotra persiane, e cila, njëherazi me pjekurinë në rrafsh stilistik-artistik, vazhdoi të mbetet pre e abstraktes.

Shekujt pasardhës, krahas zbehjes së trajtave klasike, sollën frymëzime më pranë temave të kapshme të jetës.

Arabishtja, gjuha e kuranit dhe e kulturës mbarëislamike, u përdor nga turqit në shkrimet teologjike, filozofike, filologjike, juridike dhe shkencore. Letërsia neopersiane, që pat nisur të lëvrohej gjatë shekujve IX-X, për t’u ngjitur në maja në shekullin XI me Firdusin, vazhdoi ta ushqejë krijimtarinë letrare turke, sidomos përmes veprave të Omar Khajamit dhe Attarit (shekulli XII), Xhelahudinit dhe Saadiut (shekulli XIII), Hafizit (shekulli XIV) e Xhamiut (shekulli XV).
Proza nuk u përpunua në një shkallë me poezinë. Pjesën dërrmuese e rrokte historiografia. Këtu duhen shtuar shkrimet hagjiografike, anekdotike, novelistike, didaskalike, si dhe epistolarët, dokumentet zyrtare, shënimet e udhëtimit etj Njohja e “luleve” stilistike në veprat artistike është e domosdoshme për të përvetësuar strukturën e letërsisë turke.

Në shekullin XIV merr fill një lulëzim i vërtetë shkrimesh natyrash të ndryshme, të gjitha në gjuhën amtare. Rëndësi të posaçme, si qendra të kulturës e të letrave turke, morën qytetet Bursë dhe Edirne (Adrianopoja). Përkthimet nga persishtja dhe nga arabishtja vazhduan të kishin përparësi.

Përmendim, ndër të tjera, “Librin e Kalilës e të Dimnës”, “Një mijë e një netët”, “Historinë e Sinbad filozofit”, e cila në redaktimin turk ka titullin “Historia e dyzet vezirëve”, “Marzuban-name”, si dhe vepra të plota të Attarit, Xhelahudinit, Rumiut e Saadiut.

Me marrjen e Kostandinopojës (1453), shteti osman shtiu në dorë prestigjin e historisë mijëravjeçare të Bizantit të lashtë. Biografi grek Kritobuli, që shkruan sipas stilit të Tuqididit, ngre lart pasionin e turqve për njohjen e thellë të së kaluarës (ta panta palaion evidenai kalos).
Megjithatë, qytetërimi i turqve osmanë mbeti islamik. Këta, nga lidhjet me Perëndimin mësuan shumë në kulturën materiale, në artin ushtarak e detar, në gjeografi, por ruajtën të paprekur fizionominë shpirtërore. Kryeqytet i një shteti të tejqendërzuar, Kostandinopoja u bë zemra e Perandorisë Otomane.

Aty zunë vend vatrat e dijes e të letrave, institucionet kryesore akademike. Mjaft të themi se të katër sulltanët e asaj periudhe ishin poetë. Princa, vezirë të mëdhenj e funksionarë të lartë, ndoqën shembullin e tyre.

Klasicizmi otoman e shfaqi veten kryesisht në lirikën erotiko-mistike dhe në historiografi. Për lirizmin e për prozën e përpunuar e të rimuar, u shqua me “Tazarru’at”, Sinan Pashai (vdiq më 1486).

Një faqe e re e kulturës otomane dhe e letërsisë në veçanti, u hap në fillimet e viteve 1700.

Ndër veprat me kujtime, vlen të përmendet “Seyahatname” (Libri i udhëtimeve) i kronikanit Evlija Çelebi, që përshkruan, ndër të tjera, edhe bëmat e shqiptarëve në luftrat antiosmane.

Në periudhën e Reformave të Tanzimatit (1839-1876), ndikimi i ideve të revolucionit francez u ndje më fort në mendimin politik e në përgjithësi në kulturë, por edhe në fushën e letërsisë. Fillimisht u shtua vëllimi i përkthimeve.

Me vitin 1870 vijmë në prag të një periudhe letrare turke të mirëfilltë. Në shkrimet origjinale, pionierë të një shkolle të re letrare bëhen Shinasiu dhe Zija Pashai (1825-1880). Në poezitë e tij, por ca më shumë në prozën e llojeve të ndryshme, Zija Pashai ve në shenjën e kritikës stilin e vjetër të lulëzuar, si dhe stilin e rëndë e burokratik të kohës së vet.

Romantizmi turk, si rrymë letrare moderne, zuri fill një dhjetëvjetsh më vonë se në Evropë. Në konjukturën politike të atëkohshme, ndikim ushtruan anët shoqërore të letërsisë romantike, e cila, veçanërisht përmes veprës së Viktor Hygoit, gëzonte popullaritet dhe emër të mirë në rrethet e intelektualëve turq.

Qysh më 1866, Namik Qemali, “poeti i atdheut”, vendos piketat e para në këtë udhë të re. Romantikët turq ngrinin lart idealet e lirisë e të atdheut. Përveç qëndrimeve të drejta, herë-herë “në sordinë”, ndjehej një farë krenarie e tepruar për “kombin sundues”.

Ideja romantike e poezisë që buronte nga folklori, nxiste vlerësimin pozitiv të poezisë popullore.

Gjatë një procesi gjysmëshekullor, gjuha osmane ishte shndrruar në një përzjerje trigjuhëshe me trung krejt të ndryshëm: turqishtja, nga familja e gjuhëve ugrofine dhe uraloalltaike; persishtja indoevropiane dhe arabishtja semite.

Doradorës u kalua shpesh e më shpesh në rivlerësimin e trashëgimisë gjuhësore të mirëfilltë turke.

Romanticizmi turk jetoi rreth njëzet vjet duke e shfaqur veten në një prodhimtari të gjerë. Shemsedin Samiu ynë (Sami Frashëri) (1850-1904) zhvilloi veprimtari të gjerë letrare (drama e romane origjinale, përkthime, ndër të cilat “Të mjerët” më 1880) e Viktor Hygoit, por edhe në hartimin me kritere shkencore moderne të dy fjalorëve (“Kamus-u turki” dhe “Kamus-u fransevi”), të cilët janë në përdorim edhe sot e kësaj dite.

Ahmed Midhadi (1844-1913) u quajt “baba” i romanit turk dhe krijuese i një shkolle të re filoevropiane, e cila pati edhe kundërshtarë.

Letërsia moderne turke ze fill në një kohë me veprën e Namik Qemalit, i pari që lëvroi me sukses gjinitë e huazuara nga Evropa: dramën e romanin.

Mendimi politiko-shoqëror i Namik Qemalit mbart forcën e zhvillimit shpirtëror turk; shkrimet e tij përbëjnë ushqimin atdhetar për një brez të tërë të shtypur nga despotizmi i sulltan Abdyl Hamitit. Namik Qemali përktheu edhe veprat e Rusoit e të Monteskjësë. Shkrimtarë të tjerë të shquar të asaj periudhe janë Abdylhak Hamid Tarkhan, Rexhaizade Eqremi, Tevfik Fiqreti dhe Xhenab Shihabeddini. I pari konsiderohet themeluesi i poezisë moderne turke.

Nën regjimin e Abdyl Hamitit nuk mungoi drita e një ideali, e nacionalizmit turk. I pari që u çapit në këtë drejtim ishte Mehmed Emini (1869-1944). Fama e tij si poet kombëtar e ka zanafillën në kohën e periudhës së shkurtër të luftës turko-greke të vitit 1897, kur botoi nëntë tregime të përmbledhur nën titullin “Turkçe şiirler” (Poezi në turqisht).

Poeti, ndryshe nga prirjet më të përhapura të kohës, në vend të fjalëve arabe e persiane, është për të shkruar e për të folur në një gjuhë “turke”, të kuptueshme, në radhë të parë nga njerëzit e thjeshtë të të gjitha moshave e niveleve: “Poezia që ne lakmojmë, duhet të jetë e atillë, që etërit, tek shkojnë në punë në ara, vajzat që korrin, nënat që presin dru, me të na e dëgjuar zërin e zemrës, të fshijnë lotët”.

Mehmed Emini përkrahu ngrohtësisht revolucionin qemalist, të udhëhequr nga Ataturku, dhe i kushtoi një vepër të frymëzuar.

Më parë Zija Gëk Allp (1875-1924), pat ngritur lart idealin kombëtar. Krijimtaria e tij u përkrah gjerësisht nga të rinjtë.

Fitorja e Luftës Nacionalçlirimtare Antiimperialiste e popullit turk, nën udhëheqjen e Mustafa Qemal Ataturkut, që u kurorëzua me shpalljen e Republikës (1923) e u pasua nga një sërë reformash në sferën ekonomike e shoqërore, ndër të tjera edhe në lëmin e gjuhës, duke adoptuar alfabetin latin dhe duke e pastruar leksikun nga fjalët e huaja, kryesisht arabe e persiane, hapi rrugën për pasurimin e botës shpirtërore të popullit turk, autorit të vërtetë të Revolucionit Nacionaldemokratik.

Shkrimtarët e mëdhenj i përqafuan pangurrim zhvillimet e reja dhe vunë të gjitha forcat për të pasqyruar me nivel të lartë artistik shndrrimet revolucionare, në përputhje me parimin nacionalist e të respektit ndaj traditës përparimtare. Përmendim Ahmed Hashimin, Jahja Qemal Bejatliun, Halide Edipin, Jakup Kadri Karaosmanollu, Orhan Sejfi, Sait Faik Abasëjanëk, Nazim Hikmet, Sabahattin Ali, Orhan Qemal, Aziz Nesin, Sevinç Çokum etj.

Ndër krijuesit më në zë të ditëve tona, padyshim bëjnë pjesë Jashar Qemali me romanet “Direk” (Shtylla) dhe “Ince Memet (Mehmet Imcaku), që janë përkthyer në shqip, sidhe Tasim Saraç e Qemal Bajram.

Në veprën e prozatorëve dhe të poetëve turq të ditëve tona kanë gjetur pasqyrim dashuria, miqësia, lufta për një jetë më të mirë, forca e pashtershme e virtyteve të kombit etj, të gjitha të shprehura me gjuhë të thjeshtë e të figurshme, me patos, lakonizëm e zhdërvjelltësi.

Këto cilësi janë dëshmi e faktit që zhvillimi i letrave turke ka gjetur truall dhe mbështetet fort në traditën e gjallë e të pasur shumëshekullore, siç do të pohonte diku Hysny Daallarxha, një nga poetët më të mëdhenj turq të sotëm, por edhe të të gjitha kohërave. /Gazeta “Mapo”/