“Historia e mafies” është seri filmash dokumentarë që zhbirojnë kodet, veprimtaritë, gjyqet dhe aspekte të reja mbi gratë e përfshira në këto organizime kriminale. Një rrëfim që e ka të pashmangshëm fillimin me “aristokracinë” e organizatave kriminale, Cosa Nostrën e famshme bashkë me kodet e saj, nderin, të ashtuquajturën omertà (besatimi për të heshtur) dhe hakmarrjen.

Dokumentari nga regjisorja franceze, Anne Véron, shpalos rrënjët e një prej organizimeve më të njohura kriminale në botë. Në episode do të transmetohet prej së hënës deri të premten në Kohavision. Si ndodhi që një ishull i Mesdheut, siç është Sicilia, t’i japë jetë mafisë më të frikshme në historinë e ditëve tona? “Ajo çfarë është e sigurt është se asgjë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, kishte thënë regjisorja Véron.

I prodhuar në vitin 2012, ky dokumentar është transmetuar në “Toute l’Histoire”, “Radio Canada” dhe RTVE”. Pas episodeve të para, ku njëri subjekt lindi tjetrin, asaj i kishte lindur kureshtja nga marrëdhëniet e “paqarta” të mafisë në të dyja anët e Atlantikut. Duke qenë se amerikanët kishin veçse përçmim për sicilianët, regjisorja franceze vendosi të ndërmerrte një kuturisje personale për të zbërthyer rrënjët e kësaj marrëdhënieje.

Një udhëtim që shkon prapa në kohë, kur Italia sapo ishte e bashkuar (1871), por jugu i saj hiqte të zitë e ullirit. Të shtyrë nga skamja, 4 milionë italianë, shumica nga jugu, do të shpërnguleshin në Amerikë. Kështu në fillim të shekullit të njëzetë, New Yorku do të bëhej qyteti më i madh “italian” në botë. Dokumentari nis me episodin e parë që pasqyron hapjen e procesit më të madh gjyqësor të bërë ndonjëherë kundër mafies.

“1986, Le Maxi proces de la Mafia” (Gjykimi Maksi) është tregimi për gjykimin e 475 anëtarëve të mafisë, një moment historik jo vetëm për numrin e të burgosurve, por edhe për faktin se për herë të parë u provua ekzistenca e Cosa Nostrës. Episodi në vijim “Des Femmes Dans La Mafia” (Gratë në Mafia) tregon sesi në këtë botë krejtësisht mashkullore të mafisë, gratë janë më të respektuarat e këtyre organizimeve.

Dy episodet e fundit të dokumentarit, “Ndrangheta ose mafia kalabreze” dhe “Camorra, mafia napolitane”, sjellin perspektiva nga thellësitë e errëta të dy organizimeve të njohura mafioze në Itali.