Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar shtatë persona të dyshuar pasi që dy nga ta, pas një mosmarrëveshje, kanë hedhur një granatë dore në drejtim të pesë të dyshuarve tjerë të gjinisë mashkullore në Prishtinë.
Pas rastit, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime nga pjesët e granatës dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe pas konsultimit me prokurorin është bërë bastisja e të dyshuarve me ç’ rast është gjetur dhe konfiskuar një revole, një karikator me katër fishekë dhe një fishekë i armës së gjatë.
Me urdhër të prokurorit tre nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje ndërsa të dyshuarit tjerë lirohen.