Pa respektim të masave mbrojtëse është mbajtur takimi i pronarëve të sallave të dasmave në lidhje me masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Rreth 50 persona janë mbledhur në një ambient të mbyllur, e që shumica prej tyre nuk kishin të vendosur as maska.

Hysen Sogojeva, drejtor i odës së Hotelierëve dhe Turizmit, ka thënë se kanë kundërshtuar mbylljen gjithmonë dhe se mbyllja ka qenë e panevojshme.

“Ne jemi në diskutime se kur do t’i hapim dhe si do t’i hapim bizneset, ne së bashku me gastronomët kemi pasur takime me ministrin Vitia që jemi duke e ndërtuar një manual se si do të bëhet funksionimi i hotelierëve pas hapjes, atë që e qesim në manual duhet të zbatohet sepse ndoshta edhe ne do jemi që do të nënshkruajmë dhe partnerë të përbashkët me Qeverinë. Nëse është e lejuar 10 metër katror me çfarëdo salle e mbyllur apo e hapur pse të mos lejohet. Ne nuk kemi kërkuar diçka me shumë, por jemi thirrur me atë se maksimumi 250 veta të jenë. Salla duket e pahijshme kur mbetet me pak njerëz”, ka thënë Sogojeva.

Ai tutje ka thënë se u është premtuar nëse sallat e mbyllura nuk lejohet, do të lejohen vetëm në hapësira të hapura.

“Jam duke folur në proces të negocimit, ende vendim zyrtar nuk ka as për gastronominë, as për hotelerinë dhe sallat e dasmave”, ka thënë ai.

Shkëlzen Jetishi, këngëtar ka thënë se mbyllja e fundit ka qenë e padrejtë.

“Ka qenë e padrejtë kur neve na lënë mbyllur e kufirin e kanë lënë hapur me Shqipërinë”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar partitë politike që në këto salla të dasmave që nxënë nga 500 persona kanë futur gjatë fushatës nga 1 mijë persona.

Ndërkaq Afrim Muçiçi ka thënë ose do hapen të hënën të gjithë ose do të mbyllen të gjithë, duke shtuar se nuk ka tolerim.