Të mërkurën, kryeministri Avdullah Hoti kërkoi që masat kundër përhapjes së pandemisë të zbatohen me përpikëri.

“… të vazhdohet me zbatim rigoroz të masave që i kemi ndërmarrë deri më tani”, u deklarua ai.

Por një ditë më vonë vetë Hoti nuk ka respektuar masat, duke marrë pjesë në një tubim me shumë njerëz në Istog.

Kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e nënshkruar nga vetë ai më 1 nëntor, i cili ndalon tubimet publike dhe grumbullimin e qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personave.

Zyra e Kryeministrit ka arsyetuar shefin e ekzekutivit, duke thënë se tubimi i së mërkurës nuk është organizuar nga Qeveria, por nga Komuna e Istogut.

“Në të gjitha aktivitetet të cilat organizohen nga Zyra e Kryeministrit zbatohen në përpikëri të gjitha masat anti-Covid-19. Manifestimi i djeshëm është organizuar nga Komuna e Istogut. Të gjitha vendimet e Qeverisë dhe masat konkrete anti Covid -19 duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim. Mbikëqyrjen e zbatimit të tyre nuk e bën Qeveria, por inspektoratet dhe policia”, ka thënë Antigona Baxhaku nga Zyra për Komunikim me Publikun e Qeverisë.

Por kryetari i Istogut, Haki Rugova, i ka thënë KOHËS se në përurimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova janë respektuar të gjitha masat.

“Aty është një plato dhe numri i njerëzve ka qenë tamam. Tash unë qytetarët rrugës nuk mund t’i ndali. Gjithçka ka qenë në rregull aty, është respektuar protokolli dhe të gjitha të mundshmet”, është shprehur ai.

Pjesë e këtij tubimi ka qenë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili më herët është pyetur nëse edhe në organizimet e Ministrisë nuk po respektoheshin masat.

Situatat e tilla, shoqëria civile i vlerëson si shpërfillje të ligjit dhe si tregues që vendimet e shtetit nuk vlejnë për të gjithë.

“Kjo është një fyerje pothuajse publike kundrejt qytetarëve ku kemi parë raste që qytetarët janë dënuar për mos mbajtje të rregullt të maskave gjatë ditës, ndërsa ata shkojnë në shtëpi dhe i shikojnë lajmet që pikërisht ata të cilët i kanë dhënë ato dënime thonë që këto duhet të respektohen, kur nuk i respektojnë vetë ato”, ka thënë Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”.

“Kjo tregon që këto masa janë vetëm për qytetarët e thjeshtë por nuk janë për politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit dhe kjo e bën të pakuptimtë atë vendim që ndalon grumbullimin e njerëzve më tepër se 5 persona dhe njëkohësisht i bën të pakuptimta edhe dënimet që po u shqiptohen nga ana e policisë”, është shprehur Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.

Kufizimet kundër COVID-19 nuk i kanë respektuar as LDK-ja e as Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve për kryetar të Podujevës.