Pasi Kadri Veseli i reagoi Isa Mustafës duke i thënë drejtoje dialogun edhe pse kreu i opozitës është duke u rehabilituar nga sëmundja, është përgjigjur Avdullah Hoti. Ai ka thënë se fyerja e Isa Mustafës tregon se Veseli ka dështuar edhe është i frsutrur si lider.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se proceset shtetërore në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë, duhet të udhëhiqen nga institucionet e shtetit të Kosovës. Thotë se për këtë punë Kosova është shpallur shtet, për të pasur institucione që e udhëheqin atë, e jo ekipe politike.
“Nëse këto institucione nuk kanë fuqi politike dhe legjitimitet për të përfaqësuar shtetin e Kosovës, siç është situata tani, atëherë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të nxjerrë institucione legjitime përmes votës së qytetarëve”, ka shkruar Hoti.
“Rrugë tjetër nuk ka. Hedhja e topit tek opozita dhe fyerja e liderit kryesor të opozitës nuk i kontribuon situatës. Përkundrazi, tregon frustrim, dobësi lidershipi dhe dështim”.