Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth task – forcës antikorrupsion, të cilën e ka shfuqizuar para disa ditësh.
Hoti u pyet nëse task-forca është kthyer në funksion, derisa potencoi se nuk është zbrasur për shuarjen e saj.
“I kam dhënë sqarimet edhe në Kuvendin e Kosovës, jemi në proces të përgatitjes së organogramit të ri të Policisë në përputhje me Ligjin, dhe gjatë kësaj periudhe nuk do të mbetet mbrapa asnjë çështje që ka qenë në shqyrtim nga task-forca”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkohë, pas shfuqizimit të task-forcës antikorrupsion, e cila vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës, Hoti kishte deklaruar se ky vendim i hap rrugë institucioneve që të punojnë në përputhje me Ligjet përkatëse.
“Ky është vendim i vitit 2010 që parashikon obligime që ka krijuar, që në fakt është ndarja e pushteteve. Kur është marrë vendimi për mandatin e EULEX-it, ka ndërruar plotësisht. Besoj që ky vendim i hap rrugë që institucionet të funksionojnë në bazë të ligjeve”, ka deklaruar Hoti.
Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.