Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth procesit të dialogut në kohën sa kabineti i tij ishte duke qeverisur.

Përmes një postimi, Hoti tha se kishin përgatitur një dokument ku ishte cekur se integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm dhe që përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale.

“Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Po ashtu, Hoti thotë se tema e parë e procesit të dialogut ka qenë “të pagjeturit” nga lufta e fundit në Kosovë dhe më pas janë diskutuar tema tjera si ato financiare (dëmet e luftës, pensionet, kursimet, etj.).

“Procesi i dialogut ka qenë plotësisht transparent. Para dhe pas çdo vizite në Bruksel kam raportuar në Kuvendin e Kosovës. Pata kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar të veçantë për mbikëqyrje të dialogut, të cilin do ta kryesonte opozita. Por, ka qenë kërkesë e opozitës së atëhershme që të raportohet drejtpërdrejt në seancë plenare. Kam mbajtur një seri të tryezave me shoqërinë civile, ku kam prezantuar qëndrimet, progresin dhe sfidat në dialog”, shkroi më tej Hoti.

Ai bëri të ditur se të gjitha dokumentet e dialogut në kohën e qeverisjes së tij i janë dorëzuar kryeministrit aktual, Albin Kurtit, ku është një folder i protokolluar formalisht.

“Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente: -Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, -Raport i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Ëashingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.) – Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut, – Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës, – Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog, – Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog.

Kryeminsitri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, shtoi më tej ai.