Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, është takuar me nënkryetarin e Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari dhe Drejtorin Komunal të Arsimit, Agim Blakçori, njofton Llapi.info
Me këtë rast, Hoti i dha drejtorit Blakqori Listën e Fituesve të Garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendim Kritik për nivelin shkollor për Podujevë dhe tha se është i kënaqur me ecurinë e garës në këtë komunë.
“Është me të vërtetë kënaqësi që sot kam në duar listën me emrat e 1091 nxënësve fitues në nivel shkolle, të komunës së Podujevës, në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe këtë listë po ua jap juve. Unë kam përcjell edhe nga afër zhvillimin e garës në disa shkolla të kësaj komune dhe jam mahnit me talentët e nxënësve. Dua ta theksoj se jam shumë i kënaqur me organizimin e garës së KKMK në komunën e Podujevës, për çka meritor janë mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, si dhe DKA-në për mbarëvajtjen e garës. E them me plot bindje se Podujeva është njëra ndër komunat më të mirat sa i përket Garës Nacionale të KKMK-së”, ka potencuar Hoti.
Ndërsa, nënkryetari Rudari dhe drejtori Blakqori u ndanë të kënaqur me rezultatet e nxënësve të komunës së tyre në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Ndryshe, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës nga sot ka filluar publikimin e Listave të fituesve të Garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik në nivel shkolle./Llapi.info
Në këtë link mund t’i shikoni rezultatet