Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është duke diskriminuar bujqit.
Ai ka bërë një krahasim për ndarjen e mjeteve në veri dhe komunat e tjera të Kosovës.
Më poshtë postimi i plotë i tij:
Diskriminimi i bujqve nga Qeveria Haradinaj
Në raportin e punës të Qeverisë Haradinaj, e arritur është paraqitur edhe Udhëzimi Administrativ 09/2018 i Ministrit të Bujqësisë. Ky udhëzim diskriminon bujqit. Derisa bujqve në katër komunat në veri, që janë kryesisht të komunitetit serb, shteti përmes granteve ju mbulon 90% të investimit në bujqësi, për bujqit në komunat e tjera në gjithë Kosovën mbulimi i investimeve është vetëm 50%.
Plani për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020 nuk parasheh ndarje të veçantë të granteve investive për zona të caktuara. Masat për mbështetje të bujqve aplikohen në tërë territorin e Kosovës, varësisht prej kulturave bujqësore.
Agjencia Kundër Korrupcionit e ka anuluar thirrjen për aplikim për grante të Ministrisë së Bujqësisë të datës 14 prill 2018, me arsyetimin se ajo ka përmbajtje diskriminuese. Por, Ministri i Bujqësisë ka vazhduar me nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ 09/2018, ku e ka përligjur diskriminimin, dhe më datë 26 maj 2018 e ka rihapur thirrjen për aplikim për bujqit. Anomalia e kësaj situate është e tillë që thirrja për aplikim për bujqit është bërë më 26 maj 2018, e cila thirrje është bazuar në Udhëzimin Administrativ 09/2018 që ka hyrë në fuqi më 31 maj 2018 (që është 5 ditë më vonë).
Diskriminimi është edhe më i thellë. Në thirrjen për aplikim për grante, bujqit shqiptarë duhet të dorëzojnë vërtetimin për pagesën e tatimit në pronë. Ndërkaq, për bujqit e komunave në veri kjo nuk kërkohet dhe, për më tepër, nuk kërkohet as vula e Republikës të Kosovës në dokumentin e lejes së ndërtimit.
Në interpelancën parlamentare të ftuar nga LDK-ja, u kërkua që ky udhëzim të shfuqizohej. Por, deputetët e koalicionit PAN e mbrojtën këtë udhëzim duke votuan kundër shfuqizimit.
Ministri i Bujqësisë ishte akuzuar publikisht nga fqinjët e tij shqiptarë se kishte keqtrajtuar shqiptarë gjatë luftës. Por, Kryeministri nuk kishte guxim të shkarkojë. Tash ky ministër bëri një hap tjetër duke miratuar udhëzime diskriminuese për të shpërndarë miliona euro taksa t qytetarëve për një zonë të caktuar, që banohet kryesisht nga komuniteti serb.
Kushdo që është i interesuar për më shumë informata, në vijim janë adresat ku mund të gjenden dokumentet përkatëse për këtë diskriminim të bujqve nga Qeveria Haradinaj.
Udhëzimi Administrativ 09/2018
http://mbpzhr-ks.net/…/2118__U.A.nr.09.2018per_zbatimin_e_P…
Thirrja për aplikim e datës 14 prill 2018
http://www.mbpzhr-ks.net/…/PROGRAM_I_VECANTE_PER_INVESTIMET…
Anulimi i thirrjes së datës 14 prill 2018 dhe rihapja e thirrjes për aplikim më 26 maj 2018
http://www.mbpzhr-ks.net/…/Anulim_dhe_riThirrje_per_Aplikim…