Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, kanë vënë sot gurthemelin e pikës së përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, Bellanoc-Stanqiq.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Maqedonisë, Bejtush Gashi dhe Oliver Spasovski, si dhe shefat e misioneve të BE-së, në Kosovë dhe Maqedoni, Nataliya Apostolova dhe Samuel Zhbogar, njofton Zyra e Kryeministrit, përcjell Klan Kosova.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se duhet pranuar që kufijtë asnjëherë nuk ka qenë më temë se sa sot, më të debatueshëm e të diskutueshëm jo vetëm në Ballkan por edhe kudo në Evropë e më gjerë.
“Po mundësojmë komunikim e shkëmbim më të madh mes njerëzve e mallrave, mes qytetarëve e shoqërive tona, mbi të gjitha për banorët e zonave, për shqiptarët e të dyja anëve të cilët historikisht kanë lidhje miqësie e gjaku me njëri-tjetrin. Atyre u janë dashur 160 kilometra rrugë për të vizituar të afërmit dhe miqtë e tyre që nuk i kanë më shumë se 30 kilometra larg përmes kësaj pike të re. Prandaj në muajt në vazhdim, kjo zonë e madhe do të merr kuptim dhe dimension të ri, mbi të gjitha mes njerëzve, mes komunave të Gjilanit, Likovës e Kumanovës, e më gjerë”, ka deklaruar ai.
Ai ka falënderuar qeverinë e Maqedonisë, kryeministrin Zaev dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin për gjithë angazhimin që kjo çështje e stërzgjatur të përmbyllet me sukses.
“Jam këtu për të falënderuar të gjithë që u angazhuan që nga fillimi që ky projekt të jetësohet, dhe nuk mund ta fsheh e ta them hapur që u rikthye në agjendë një projekt tashmë dukej gati i pamundur për shkak të zvarritjeve të pakuptimta për 5 vjet. Dhe për këtë ka një numër njerëzish me merita që ne sot po e jetësojmë kërkesën dhe pritjen e shumë qytetarëve. Por, që kjo ide e lindur mes dy shteteve tona vite më parë nuk do të arrinte ku është sot afër realizimit pa ndihmën e Bashkimit Evropian. Prandaj, i falënderoi të dy përfaqësuesit e BE-së në Prishtinë dhe Shkup për përkrahjen dhe financimin në ndërtimin e njërës prej pikave më moderne sipas modelit IBM në Ballkan që do të kushtoj 1 milionë e 200 mijë euro”.
Sipas Hoxhajt fillimi i ndërtimit të kësaj pike të re kufitare nuk e ka vetëm simbolikën e komunikimit, qarkullimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve por, do të shërbejë si një urëlidhje e mirë për zhvillim ekonomik, për shkëmbime më të mëdha të produkteve e mallrave.