Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, kanë reaguar pas aksidentit të mbrëmshëm të dy policëve, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur.
Hoxhaj ka quajtur jashtëzakonisht pikëllues lajmin për aksidentimin dhe zhdukjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Lajm jashtëzakonisht pikëllues aksidenti dhe zhdukja e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në këto momente të vështira, përderisa vazhdon kërkimi për gjetjen e tyre, u qëndrojmë pranë familjeve dhe të afërmve të tyre”, ka shkruar Hoxhaj. Ndërkohë, zëvendëskryeministri falënderoi edhe njësitet e FSK-së, policisë e zjarrfikësve të cilët po punojnë në kërkimin e policëve.
Edhe Shkodra ka falënderuar Policinë, FSK dhe Zjarrëfikësit për angazhimin në gjetjen e trupave të zyrtarëve policorë.
“Dhimbje, pikëllim, zemërim, trishtues lajmi për aksidentin e dy policëve të Kosovës ne lumin Lepenc. Ndajë emocionet me familjarët, kolegët dhe miqtë në këto momente për fatin e policëve tonë,të cilët në krye të detyrës pësuan aksident. Lutjet tona shkojnë për ta në këto momente plot ankth! Përzemërsisht falënderoj të gjithë të angazhuarve, që po marrin pjesë në këtë operacion, Policinë e Kosovës,FSK-në dhe zjarrfikësit”, ka shkruar Shkodra.
Kërkimi për policët që u zhdukën mbrëmë në lumen Lepennc, janë zgjeruar edhe në pjesën maqedonase.