Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së në Prishtinë tha se besimi qytetarëve të Kosovës do t’i kthehet me një mendësi të re të partisë së tij.

“Kryeqytetit tonë po i vjen një gjeneratë e re e politikanëve, po i vjen një ofertë e re dhe mendësi e re që do ta ndryshojë kryeqytetin tonë”.

“Ata që e kanë qeverisur këtë kryeqytet nuk i kanë dhënë asgjë deri me tash. Ajri i ndotur dhe urbanizmi i egër janë vetëm disa nga karakteristikat e këtij qyteti. Shumë zhvillime kanë filluar në Prishtinë dhe nga një kryeqytet i një etniteti jugosllav jemi bërë vendi më i ri në hartë”.

“Gara e brendshme është e rëndësishme, por për ne në PDK është prioritet gara e jashtme. Jemi këtu që të caktojmë qëllime të reja dhe duam të forcojmë demokracinë e brendshme partiake. Çdo anëtar i PDK-së duhet të ketë një mendësi të re. Duam të nxisim karrierën politike të çdo anëtari, ndryshimi partisë të mos jetë vetëm qëllim , por edhe t’i shërbejë Kosovës”.

Hoxhaj tha se mosliberalizimi i vizave nga ana e BE-së ka bërë që qytetarët e Kosovës edhe më shumë të izolohen në vete. Por, ai premtoi se kjo gjendje do të tejkalohet me PDK-në, transmeton Klan Kosova.

“Situata aktuale është kjo: Europa edhe më tutje e izolon Kosovën. Krahas këtij izolimi po mbyllemi edhe më shumë në veten tonë. Shumë ndërkombëtarë kanë humbur besimin në Kosovën dhe vetëm PDK-ja mund ta rikthejë besimin me Kadri Veselin kryeministër dhe Uran Ismailin në krye të Prishtinës”.