Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët.

Ai e ka quajtur këtë vendim skandaloz, ta papranueshëm dhe nëpërkëmbës.

“Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infemierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka thënë se mungesa e dorës së shtetit po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës.

“Pritja nga qeveria për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike, shëndetësore e sociale për qytetarët të goditur nga pandemia, e konkretisht për mjekët, punëtorët shëndetësorë e të moshuarit – përkundrazi u kthy kundër tyre duke përgjysmuar shtesat financiare. Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës”, thuhet në postimin e Hoxhajt.