Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vizituar familjen e ish kryetarit Kadri Veseli, në Mitrovicë.

Hoxhaj, i cili është kandidat për kryeministër nga PDK-ja, ka thënë se shpresojnë që ta shohin sa më shpejt drejtësinë dhe Thaçi, Veseli e të tjerët t’iu kthehen familjeve të tyre.

“Para takimit me strukturat e PDK-së në Mitrovicë, erdha për një çaj në familjen e Kryetarit Veseli. Mungesa e tij në shtëpi gjithmonë është lidhur me aktivitetin e tij patriotik, para, gjatë dhe pas luftës. E kur ka qenë në shtëpi, me të njëjtën dashuri e përkushtim si për atdheun, është përkujdesur edhe për familjen e tij”.

“Prandaj, sot, të gjithë së bashku e nga çdo anë, shpresojmë ta shohim drejtësinë sa më parë, që Kadriu, së bashku me Hashimin dhe bashkëluftëtarët e tjerë, t’iu kthehen familjeve të tyre, të na kthehen neve dhe mbarë Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.