Humbja e shqisës së të nuhaturit, që mund të shoqërojë pacientët e prekur me koronavirus, është unike dhe shumë më e ndryshme prej asaj që përjetojnë personat që vuajnë nga ftohja apo gripi, kanë bërë të ditur hulumtuesit evropianë, të cilët i kanë studiuar përvojat e pacientëve.
Kur pacientët e prekur nga sëmundja COVID-19 e humbin të nuhaturit, kjo gjendje shfaqet rëndom befas dhe në formë të rëndë. Dhe ata rëndom nuk i kanë hundët të zëna dhe as nuk u rrjedhin – shumica e personave të infektuar me koronavirus mund megjithatë të marrin frymë lirisht.
Një tjetër gjë që e veçon këtë simptomë është humbja “e përnjëmendtë” e shijes.
Nuk është se shija te këta pacientë është disi e dëmtuar, për shkak se shqisa e tyre e të nuhaturit disi nuk funksionon si duhet, kanë thënë hulumtuesit në shkrimin për revistën “Rhinology”. Pacientët me koronavirus, të cilët kanë përjetuar humbjen e shijes nuk arrijnë ta bëjnë dallimin midis së hidhurës dhe së ëmblës.
Ekspertët dyshojnë se kjo ndodh për shkak se virusi pandemik i prek qelizat nervore, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me shqisat e të nuhaturit dhe të shijuarit.
Simptomat kryesore të koronavirusit janë temperatura e lartë, kolla e vazhdueshme dhe humbja e shqisës së të nuhaturit dhe shijes. Çdokush që ka këto simptoma duhet të vetizolohet dhe të caktojë kryerjen e një testi për të parë nëse e ka të pranishëm në trup koronavirusin.
Edhe anëtarët e familjes së të prekurit duhet të izolohen po ashtu, në mënyrë që ta parandalohet mundësia e shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit.
Hulumtimet mbi nuhatjen
Hulumtuesi kryesor, profesori Carl Philpott, nga Universiteti i Anglisë Lindore, ka ndërmarrë teste mbi nuhatjen dhe shijen te 30 vullnetarë: 10 me COVID-19, 10 me ftohje të rëndë dhe 10 të shëndetshëm, pa simptoma të ftohjes apo gripit.
Humbja e nuhatjes ishte më e theksuar te pacientët me COVID-19. Ata e kanë pasur më të pamundur që t’i identifikojnë erërat dhe nuk kanë qenë në gjendje ta dallonin të hidhurën prej së ëmblës.