“Hummerët” elektrikë dhe “Cybertrukët” janë vetëm fillimi, kur bëhet fjalë për kamionçina dhe automobila të lartë që kombinojnë edhe detaje të automobilave për ngasje jashtë rrugëve normale, shkruan sot Koha Ditore.
E ardhmja e automobilizmit u shfaq në një reklamë 30-sekondëshe të “General Motorsit” gjatë “SuperBowlit” në fundjavë.
Në reklamë mori pjesë basketbollisti me famë botërore, LeBron James. Duke e quajtur si “revolucion të qetë”, kompania ofroi detaje të një prej automobilave më të pazakontë në histori, një kamionçinë nën emrin e famshëm “Hummer”. Kompania do ta shpalosë “GMC Hummer EV” në muajin maj.
Sigurisht emri “Hummer” është i njohur. Ai ka bërë bujë për zhurmat e mëdha nëpër rrugë që nga “Hummer H1” e deri te ushtaraku “Humvee”, si dhe për shpenzimet enorme që kishte. Modeli “H1” shpenzonte deri 25 litra në 100 kilometra distancë.
Gjatë periudhave të shpërthimit në vitet ’90 dhe 2000, kur ekonomia ishte mirë dhe kur ndryshimet klimatike dukeshin vetëm si problemi i thjeshtë për arinjtë polarë, këta automobila të pazakontë u bënë simbol kulturor në Amerikë, qoftë të zgjerimit të kapitalizmit apo të rënies së civilizimit perëndimor, varësisht nga pikë vështrimi, shkruan “NYTimes”.
Marka përçarëse nuk mundi t’i mbijetonte recesionit të madh, me “General Motorsin” që e nxori nga tregu automobilin më 2010. Por pas një kohe jo të gjatë në histori, “Hummeri” po rikthehet, megjithëse në një formë krejtësisht ndryshe.