Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni ka kritikuar qeverisjet e deritanishme për neglizhencën, që sipas tij, ia kanë bërë rajonit të Llapit, njofton Llapi.info.
Sipas Hysenit, punimet në autostradën që lidhë Llapin me pjesët e tjera të Kosovës dhe Shqipërinë janë në gjysmë.
“Autostrada që do lidhte rajonin e harruar të Llapit me Kosovën, për vite tëra e lënë në gjysmë! Në nëntor të këtij viti mbushen 6 vite që nga koha kur në autostradën që lidhë trevën e Llapit me pjesët tjera të Kosovës e Shqipërisë janë ndalur punimet”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Tutje, duke shtuar se Llapi siç thotë Hyseni, është lënë në harresë, ka hedhur kritika edhe për dinamikën e punimeve në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë.
“Ishte e Mërkurë, 27 Nëntor 2013, dita kur u lëshua në qarkullim segmenti i autostradës “Ibrahim Rugova” i përfunduar deri në Lebanë, afër Besisë, për të mos vazhduar më, as edhe me një metër më shumë. Përderisa, zgjerimi i magjistrales aktuale që lidhë Llapin më Prishtinën ka filluar në shtator 2016 dhe ecë me ritme tepër të ngadalta, jo një kilometër por as edhe një metër nuk ka përfunduar si duhet! Treva e Llapit mbeti e harruar nga të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë. Koha ti kushtohet vëmendja e merituar edhe kësaj pjese të Kosovës”, ka përfunduar ai./Llapi.info