Anëtari i Lëvizjes Vetëvenosje, Driton Hyseni ka reaguar ndaj komunës së Podujevës lidhur me organizimin e manifestimit të 20 vjetorit të fushëbetejës së Kaqandollit e cila u shëna gjatë ditës së djeshme, njofton Llapi.info.
Hyseni ka kritikuar organet komunale të cilat, sipas tij, nuk i kanë kushtuar fare rëndësi këtij eventi, duke pyetur se “si është e mundur që për një ngjarje si është fillimi i luftës frontale në Llap komuna e Podujevës të mos publikoj asnjë njoftim edhe pse ishte organizatore e ngjarjes përkujtimore?!”
Më poshtë ja edhe shkrimi i plotë i Hysenit:
Komuna e Podujevës qeveriset shkel e shko, nuk duhet ta lejojmë që edhe ngjarjet e mëdha historike të na i bëjë shkel e shko!
GJËRAT MADHËSHTORE BËHEN ME ZEMËR!
TË PËRKUJTOSH TË RËNËT NË BETEJA, PA FLAMURIN KOMBËTAR E ME ORGANIZIME TË ZBEHTA ËSHTË SHKARJE E MADHE, ËSHTË GODITJE E RADHËS PËR VLERAT E LUFTËS DHE DËSHMORËT E KOMBIT!
Si është e mundur që për një ngjarje si është fillimi i luftës frontale në Llap komuna e Podujevës të mos publikoj asnjë njoftim edhe pse ishte organizatore e ngjarjes përkujtimore?!
Nuk u publikua asnjë njoftim për ngjarjen në faqen e komunës https://kk.rks-gov.net/podujeve, NË FAKT KA NJË NJOFTIM SE PËR SOT NUK KA ASNJË NGJARJE!!!
Poashtu në faqen zyrtare të Komunës në rrjetet sociale nuk kemi as edhe një njoftim apo kujtesë për ngjarjen e sotme!
Sa kam parë në qytet nuk vërehej ndonjë publikim për ngjarjen (ndoshta në ndonjë skutë, por e dyshoj edhe këtë)!
E dimë që shoqatat e dalura nga lufta gjithmonë janë ballafaquar me mungesë hapësire, infrastrukture e mbështetjeje për të ushtruar veprimtarinë e tyre me synim ruajtjen e vlerave që lufta na solli, por kuvendi komunal që paguhet nga taksat tona do duhej të ishte në nivel të detyrës, të shpërndante informacion e të ipte maksimumin për ngjarjen e madhe që kujtuam sot, 20 vjetorin e fushëbetejës së Kaqandollit!