Rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze dhe sulme fizike gjatë kryerjes së detyrave zyrtare janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Kështu ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit në stacionin policor Jugu në Prishtinë.

Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, një zyrtar policor është sulmuar fizikisht nga një person i dyshuar brenda stacionit policor.

Bazuar në informacionet e para, polici (emër i njohur për redaksinë) është goditur nga i dyshuari pasi ky i fundit ishte shoqëruar në stacion lidhur me një rast në të cilin ishte përfshirë.

Në shenjë revolte, personi i dyshuar e ka goditur me kokë në fytyrë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndime – për çka mori trajtim mjekësor.

Burimet e njëjta thonë për Sinjalin se kolegët e viktimës, zyrtarët policorë të tjerë brenda stacionit, kanë intervenuar dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

I dyshuari nuk është deklaruar para hetuesve policorë, duke u mbrojtur në heshtje.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.