I është dhënë edhe një shtresë asfalti rrugës kryesore “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pas shtresës së parë të dhënë para rreth një muaji, njofton Llapi.info.

Edhe pse punimet përgjatë kësaj rruge që nga “Hotel Besiana” ishin nisur në maj të këtij viti, të njëjta ende s’kanë përfunduar, derisa ndërtimi i trotuareve ende nuk ka filluar.

Pas kaq muajsh, në kohë sezone, bizneset buzë kësaj rruge e kanë pasur të pamundur punën e zakonshme, e që për këtë i pari i Podujevës pati thënë se është i vetëdijshëm.

“Falënderoj banorët dhe bizneset që shtrihen përgjatë kësaj rruge, për ndihmën dhe mirëkuptimin e treguar gjatë realizmit të këtij projekti, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur në qarkullim gjatë zhvillimit të punimeve”, pati deklaruar Veliu në një postim në Facebook.

Për këshilltarët opozitarë në asamblenë komunale, punimet është dashur të kryen shumë kohë më parë, teksa kanë akuzuar ekzekutivin komunal për tejzgjatje të punimeve.

Ndërkohë, ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse, siç quhej projekti, ka nisur vitin e kaluar, të njëjtat do të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti, e që kostoja e saj kap shifrën e rreth 1.1 milion euro.

“Kostoja për këtë është 1 milion 145 mijë euro”, pati thënë kohë më parë për Llapi.info drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha.

Kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë se është keqpërdorë paraja publike në rrugën kryesore të kësaj Komune. Sipas tyre, rreth 160 mijë euro janë çuar dëm në kohë të fushatës, pasi ishte ri-shtresuar me asfalt pak para zgjedhjeve pa asnjë vendim komunal./Llapi.info