Sot i është dhënë lamtumira e fundit 19 vjeçarit nga Podujeva, Jahir Gashi, që ndërroi jetë pas një vetëaksidenti të ndodhur mbrëmë në fshatin Bajçinë, raporton Llapi.info

Mes lotësh e dhimbjesh, familjarë, shokë e qindra qytetarë të tjerë, kanë përcjellë për në banesën e fundit 19-vjeçarin në varrezat e fshatit Dobërdol.

Kujtojmë, aksidenti fatal që i mori jetën Jahirit ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Bajçinë, ndërsa një person tjetër nga po i njëjti aksident është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Rastin për Llapi.info e kanë konfirmuar Emergjenca e Podujevës dhe Policia e Kosovës.

“Njëri prej tyre nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Personi tjetër është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Zëdhënësja për Informim e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ndryshe, vetëm dje në Kosovë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, kanë ndodhur 31 aksidente./Llapi.info