Familja Hodolli nga fshati Llapashticë e Podujevës po jetojnë në kushte të rënda. Ndërkohë që dhimbjen më të madhe e kanë teksa shohin djalin e tyre, Kushtrimi i cili nuk ecën dot tash e 20 vite.
I njëjti ka lindur pa asnjë problem shëndetësor, porse gjatë kohës së luftës kishte temperaturë të lartë, e cila ndikoi në paralizimin e fizikut të tij kohë pas kohe.
“Jemi 4 anëtarë të familjes, jam prind i dy fëmijëve Qendrimit dhe Kushtrimit. Jam veteran i UÇK-së. Gjatë luftës Kushtrimi ka pas temperaturë dhe ka ndiku e pas luftës ka ardh në këtë nivel”, tregon ai.
Babai i të riut, Sahiti thotë se të kujdesësh për të është tejet e vështirë.
Si kryefamiljar atë e rëndojnë edhe më shumë të ardhurat jo të mira financiare.
Në një intervistë për Indeksonline, ai thotë se merr pensionin e veteranit të UÇK-së, porse terapia e djalit të tij është dukshëm më e kushtueshme.
Hodolli kërkon ndihmë nga të gjithë ata persona që qëndrojnë mirë financiarisht.
“100 euro veç barna, po duhet me i marrë pa i ndërpre. Po kështu e paska shkruajt Zoti, kush ka mundësi me na ndihmu”, thotë ai.
Tutje gjatë intervistës, Sahiti rrëfen se si edhe djali tjetër Qendrimi në një farë mënyre është detyruar të shkëputet nga studimet universitare kjo për të vetmën arsye, të kujdeset ndaj vëllaut të tij.
“Qendrimi i ka përfunduar 4 provime në fakultet. Tash kujdeset thuajse 24 orë për të, e dëgjon dhe e kupton shumë. Qendrimi e ka lënë fakultetin mu ka bashkangjitë mu sepse edhe vet jam me shëndet jo të mirë, duhen 2 orë paraditë dhe dy pasditë për të ushqyer Kushtrimin”, tregon ai.
Ndonëse sëmundja e Kushtrimit është e pashërueshme, familja Hodolli janë tejet të përkushtuar sa i përket kujdesit ndaj tij.
“Është shumë e vështirë me u kujdes për të. Kushtrimi ndryshe është tifoz i Barcelones, dhe sa here përcjellë ndonjë ndeshje futbolli kënaqet”, vlerëson ai, transmeton Indeksonline.
Dhimbjen shpirtërore të tyre nuk mund ta shërojë dot askush, ndihma e secilit nga ju për një jetë më të mirë do të vlejë shumë për një familje e cila tash e sa vite përballet me një sfidë kaq të rëndë!
Numri kontaktues dhe vendbanimi familjes Hodolli: 044 542 368