Kosova brenda një vitit importon rreth 9 milionë litra qumësht nga Bosnja në vlerë rreth 6 milionë euro.
Vetëm në gashtë mujorin e parë të këtij viti janë importuar 4 milionë e 400 mijë litra qumësht nga ky vend në vlerë prej 2 milionë e 500 mijë euro.Kështu ka thënë kryetari Shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Besim Kuqi i cili i është referuar të dhënave zyrtare të Doganës, dhe shtoi se këto produkte me çmim jo konkurruese po i dëmtojnë prodhuesit kosovarë. Kuqi ka thënë në një intervistë për KosovaPress se më 16 prill të këtij viti Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për masa mbrojtëse për prodhimet e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa sipas tij, Qeveria po hesht dhe e ka stopuar këtë vendim.Ai ka apeluar Qeverinë e Kosovës që të zgjidhë këtë problem, sepse sezoni i industrisë së qumështit gati është në përfundim.
Për mos zbatim të masave mbrojtëse nga ana e Qeverisë, Kuqi ka thënë se sasia e prodhimit të qumështit është zvogëluar për rreth 80 mijë litra qumësht në ditë dhe shumë ferma janë duke u mbyllur për çdo ditë.
Ndërsa, ditë më parë zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë thënë se vendimi i MTI-së për masa mbrojtëse është në Zyrën e kryeministrit për t’u bërë qartësimet ligjore.
Sipas këtyre zyrtarëve është në dorën e kryeministrit të Kosovës ta fuqizojë vendimin dhe ta obligojë Doganën e Kosovës për implementim.