Industria prodhuese në Kosovë ka shënuar një rritje të lehtë këta gjashtë muajt e fundit. Administrata Tatimore e Kosovës dhe Fondi i Kursimeve Pensionale konfirmojnë se këto gjashtë muajt e fundit është shënuar rritje kur bëhet fjalë për qarkullimin e të hyrave tek aktiviteti i bizneseve dhe rritje e numrit të punësuarave që paguajnë kontributet pensionale.

Rritjet janë shënuar në kohën kur Kosova po zbaton masën 100 për qind të tarifës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila sipas disa përllogaritjeve, ka ndikuar në rritjen e prodhimtarisë vendore.

Por, asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy institucioneve shtetërore nuk e konfirmojnë se taksa ka ndikuar në këtë rritje.

​Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), vërehet një rritje e qarkullimit në industrinë prodhuese dhe përpunuese. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ATK-ja, thuhet se prej muajit nëntor të vitit 2017 deri në muajin mars të vitit 2018, vlera e qarkullimit të industrisë prodhuese ka qenë mbi 351 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë, nga nëntori i vitit 2018 deri në mars të vitit 2019 (periudha e taksës doganore) qarkullimi është rritur në 536 milionë euro.

Sipas një llogaritje të thjeshtë, i bie që mbi 185 milionë euro është rritur vlera e deklaruar.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se ka rritje të qarkullimit, por nuk e ndërlidhë këtë domosdo me efektet e taksës doganore.

“Nga të dhënat e fundit që kemi ka një rritje të lehtë, por nuk kemi bërë analizë të tillë se a ka rezultuar rritja nga taksa 100 për qind apo është rezultat i zhvillimit normal të biznesit. Pra, ne mund të themi se në bazë të të dhënave ka rritje, por jo të konfirmojmë se rritja është efekt i taksës 100 për qind”, tha Murtezaj.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë