Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili vdiq sot në moshën 57 vjeçare.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shprehu trishtimin e tij me vdekjen e Vokrrit.

“Jam shumë i mërzitur me lajmin dhe në emër të komunitetit botëror të futbollit, dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të thella ndaj familjes së Fadil Vokrrit”, ka thënë Infantino, transmeton Koha.net.

“Ka qenë pionier në shumë mënyra; duke arritur karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube të ndryshme dhe në liga të niveleve të ndryshme në një kohë kur nuk ishte kaq e zakonshme si sot. E po ashtu duke shtruar themelet për njohjen e Kosovës si anëtar i FIFA-s”.

“Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim dhe forcë bindjeje. Fadili i kishte të gjitha këto, ishte tip i këtillë: një shembull i entuziazmit dhe përkushtimit dhe një lider i madh të cilin jam krenar që e njoha dhe punova me të”, deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ish-lojtari i Prishtinës, i Partizanit të Beogradit, Nimesit të Francës e Fenerbahces së Turqisë, ka luajtur edhe në nivelin ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në të ’80-at dhe u shpall lojtari i vitit më 1987.

I lindur në Prishtinë, Vokrri nisi karrierën prej futbollisti sulmues në vendlindje ku siguroi reputacionin e një prej lojtarëve më të mirë që doli nga Ballkani.

Trashëgimia e tij vazhdoi më vonë duke drejtuar FFK-në në kohën kur Kosova u bë anëtari i 210 i FIFA-s më 2016, në Kongresin e 66-të të FIFA-s.