Rruga në fshatin Dumnicë e Epërme, përkatësisht rruga e cila dërgon tek Jahollët është në gjendje të mjerueshme, madje kur ka reshje të shiut gjendja e saj rëndohet akoma më shumë.

Rruga e kësaj lagjeje e cila është e gjatë afro 2 kilometra sipas banorëve ka  4 vite që është në këtë gjendje, shkruan Llapi.info.

Mirëpo këtë problem, zyrtarët komunal kanë menduar ta zgjidhin me zhavor.  Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se pritet që këtë vit kjo rrugë të shtrohet me zhavor.

“Pas lidhjes së kontratës me operatorin për furnizim me zhavorr dhe rregullim të rrugëve rurale, edhe kjo rrugë do të jetë në prioritetet e Komunës për rregullim me zhavor këtë vit”, tha Muçiqi për Llapi.info.

Një kohë kjo rrugë ishte në plan që të rregullohej përmes FSK-së. Mirëpo, sipas Muçiqit edhe pse është bërë kërkesa, FSK-ja nuk ka pasur mundësi  këto dy vite të ndërhyj në këtë rrugë. Për këtë arsye kjo rrugë nuk është në radhë për asfaltim.

Se kjo rrugë nuk është në radhë për asfaltim ka thanë edhe Drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu. Sipas tij rruga e lagjes së Jahollëve nuk është në planin e sivjetmë të asfaltimit të rrugëve në Komunën e Podujevës.

Ndryshe, gjendja e mjerueshme e kësaj rruge nuk është i vetmi problem që kanë banorët e kësaj lagjeje. Ata ankohen edhe për mungesë  të  transportit pasi që, ata çdo ditë e kalojnë këtë rrugë në këmbë./Llapi.info

foto-2 foto-1