Ka filluar largimi i kioskave në rrugën “Zahir Pajaziti” dhe “19 Qershori” në Podujevë, raporton Llapi.info

Nën përcjellën e Policisë së Kosovës e cila edhe ka bllokuar një korsi të rrugës, largimi i tyre ka nisur sot, me vendimin e lëshuar nga Drejtoria e Inspeksionit me arsyetimin për realizimin e projekteve të parapara. Nga sot pronarëve të tyre u është ndaluar ushtrimi i zejes. E nga kjo edhe ka pasur zënka mes tyre.

Vendimin për largim e kanë kundërshtuar pronarët e tyre, duke kërkuar që tani t’iu bëhet një vend për t’i vendosur të njëjtat në një lokacion tjetër.

Edhe partitë opozitare në Podujevë kanë kërkuar nga Komuna që të njëjtët kioske të vendosen në një vend tjetër, pasi që sipas tyre, shumë qytetarë mbesin të pa punë.

Këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Adelina Stublla, kohë më parë pati thënë se ky vendim për largimin e tyre është shqetësues, teksa kërkon që t’iu sigurohet një vend për vendosjen e kioskave.

Në anën tjetër, shefi i subjektit politik të PDK-së në Kuvendin Komunal të Podujevës, Rafet Llapashtica, pati shtuar se prona ku janë aktualisht kioskat nuk është e definuar si pronë e Komunës.

Edhe pse pronarët thonë se prona nuk është e Komunës, largimi i tyre ka filluar./Llapi.info