Të gjithë shitësit ambulantë nëpër trotuare kanë kohë vetëm edhe gjashtë ditë që të i lirojnë hapësirat publike të Podujevës dhe të vendosen tek Tregu i Gjelbër, raporton Llapi.info
Secilit nga këta shitës që janë të frekuentuar në këto pjesë, janë pajisur me nga një dokument të lëshuar nga Drejtoria e Inspeksionit të Podujevës, për kohën kur duhet liruar.
E kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha për tregtarët pasi që sipas tyre Tregu i Gjelbër në Podujevë, është ndërtuar larg qendrës së qytetit.
“Nuk vjen kërkush atje, tash me fol realisht sa të jenë këta me shitore këtu, neve atje s’ka me na ardhë kërkush” thotë S. Behrami.
“Me punu krejt këta mall edhe si mos t’vijnë me ble, këta prishet edhe duhet me humb” vazhdon ai.
Edhe pse vet ka bllokuar një pjesë të trotuarit, Behrami shtoi se nga malli po u vështirësohet qarkullimi këmbësorëve e sidomos nxënësve.
“Keq boll, n’qafë na kanë marrë, tash duhet me dal atje, larg prej qytetit. Këtu do herë u kanë pazari, e ndërtuan këtë komunë na larguan, mbetem në rrugë e tash duhet me u largu krejt” tha Behrami i cili bën shitjen e produkteve të kultivuara nga vet ai.
“Është e vërtetë që është zënë trotuari me rasad e makina të shitjeve, nuk kanë ku me ecë fëmijët e shkollave, se në vend me kanë trotuari për këmbësorë na ja kemi nxanë, qa është, është, por bile aj tregu me kanë ma afër”, tha Behrami.
“Se di veç n’qafë na kanë marrë” vazhdonte Behrami.
Kurse, ditë më parë Drejtoria e Inspeksionit është deklaruar se në qoftë se nuk lirohen këto hapësira në Podujevë deri më 18 qershor, do të fillohet me konfiskim mallrash.
“Lirimi i trotuareve dhe hapësirave publike dhe vendosja në Tregun e Gjelbërt në Podujevë, duhet të bëhet më së largu deri më 18.06.2018, përndryshe do të ndërmerren masa përkatëse ligjore, konfiskimi i mallrave dhe inicimi i procedurave gjyqësore” është bërë e ditur në njoftimin e Drejtorisë së Inspeksionit./Llapi.info