Drejtoria e Inspeksionit në Podujevë ka bërë të ditur se në zonat e banuara u është ndaluar zhurma e cila tejkalon kufijtë për kafiteri, bare, disko e restorante, njofton Llapi.info
Drejtoria e Inspeksionit tutje ka kërkuar edhe nga pronarët e këtyre lokaleve që të respektojnë orarin e punës, e cila është e paraparë me ligj.
“Njoftohen të gjithë personat fizikë dhe jurdikë, të cilët ushtrojnë veprimtari hoteliere (kafiteri, bare, restorante, disko-klube etj) në zonat e banimit se u ndalohet që të emetojnë zhurmë, e cila i tejkalon kufijtë e përcaktuar me ligj. Gjithashtu, kërkohet nga pronarët e këtyre lokaleve të respektojnë orarin e punës, ashtu siç është e paraparë me ligj” thuhet në njoftim.
Më tej është bërë e ditur se Drejtoria e Inspeksionit është e interesuar të mbrojnë interesin publik për qytetarët e Podujevës.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi ndalohet kryerja e veprimtarive të cekura më lart, nëse paraprakisht nuk është bërë izolimi akustik i lokalit, në mënyrë që zhurma që emetohet nga muzika të mos shkaktojë bezdi për banorët përreth subjektit afarist”
“Në rast të mos veprimit sipas këtij njoftimi, Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmerr masa përkatëse ligjore, mbylljen e lokalit afarist dhe inicimin e procedurave ligjore” thuhet tutje në njoftimin e drejtorisë./Llapi.info