Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar Policisë masën e suspendimit për një zyrtar të saj i cili dje kishte rrahur bashkëshortën e tij në Fushë Kosovë.

I njëjti tashmë është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Përmes Policisë së Kosovës respektivisht stacionit policor të Fushë Kosovës dje (15.08.2018) kishte pranuar informacione lidhur me dyshimin e përfshirjes së një zyrtari policor si i dyshuar në një rast të dhunës në familje.Hetuesit e IPK-së respektivisht Departamentit të Hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes duke kontaktuar me viktimën e këtij rasti.Pas verifikimit të këtyre informacioneve nga hetuesit e IPK-së të njëjtit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent kurse viktima e këtij rasti është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton Indeksonline.

Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore në koordinim edhe me prokurorin e çështjes, dje (15.08.2018) me dyshimin se zyrtari policor i përfshirë në këtë rast ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjithashtu, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart.

Nërsa, në raportin e Policisë për këtë rast thuhet se viktima/bashkëshortja ka marr tretman mjekësor dhe e njëjta me kërkesën e saj është dërguar në strehimore.