Greva e paralajmëruar nga pronarët e autobusëve në relacionin Podujevë – Prishtinë dhe anasjelltas, ka bërë që Inspektorati dhe Policia të ndërmarrin aktivitete për parandalimin e operimit të taksive ilegalë në këtë Komunë, njofton Llapi.info
Pronarët e 25 kompanive të transportuesve në këtë relacion, kishin paralajmëruar grevë nga e hëna e 18 shkurtit, mirëpo kjo grevë u pezullua me arsyetimin se ka filluar puna për largimin dhe ndalimin e taksistëve ilegalë. Por, nëse kjo gjë nuk arrihet sipas kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar grevë tjetër nga 18 marsi. Krejt kjo, pasi që sipas tyre, janë duke punuar me humbje.
Kryetari i Shoqatës së këtyre kompanive, Beqir Mustafa, ka thënë për Llapi.info se arsyeja e pezullimit të grevës së parë të paralajmëruar ka ardhur si rezultat i aksioneve të inspeksionit të komunikacionit në Podujevë dhe Prishtinë për largimin e taksive ilegale në këtë linjë. Por, siç thotë ai, mbështetja nga ana e Policisë së Kosovës nuk është e kënaqshme.
LEXO EDHE: Pezullohet greva e pronarëve të autobusëve në Podujevë, po largohen taksistët ilegalë
“Greva është pezulluar për një muaj se kanë marrë aksione Inspeksioni për largimin e taksistëve ilegalë, si nga ata të ministrisë në Prishtinë, por edhe ata komunalë. Nuk janë larguar të gjithë, por janë duke punuar në këtë drejtim. Ndërsa, edhe Policia na kanë përkrahë, por jo edhe sa duhet, të tjerët mirë janë duke punuar”, ka deklaruar ai.
Mustafa më tej ka shtuar se nëse nuk vazhdohet të punohet siç ka filluar, greva do të jetë e pashmangshme tek pas një muaji (18 marsi).
“Nëse vazhdojnë aksionin ne e vazhdojmë punën edhe nuk mbajmë grevë as pas një muaji. Por nëse nuk ka rezultat ne hyjmë prapë në grevë, pas një muaj dite më 18 mars”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, për Llapi.info ka shtuar se në javët e fundit është intensifikuar aktiviteti i Inspeksionit në përkrahje nga ana e Policisë së Kosovës për parandalimin e operimit të taksive ilegalë.
“Inspektorët e komunikacionit në Komunën e Podujevës janë vazhdimisht në teren, ndërsa javët e fundit, me përkrahje të shtuar të Policisë së Kosovës, kanë intensifikuar aktivitetin në parandalimin e operimit të taksive ilegalë”, ka thënë Elezi. Sipas tij, inspektorët në vazhdimësi shqiptojnë gjoba, ndërsa në raste të caktuar bëjnë edhe konfiskimin e automjeteve që operojnë ilegalisht taksi.
“Aktiviteti i inspektorëve të Komunës në parandalimin dhe largimin taksive ilegalë është i përhershëm”, ka përfunduar Elezi.
Për këto aktivitete, Llapi.info ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Podujevës, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk janë dhënë detaje në lidhje me këtë çështje.
Kujtojmë, edhe vitin e kaluar pronarët e autobusëve në Podujevë kanë mbajtur grevë dyditore, teksa e njëjta është mbajtur edhe përpara Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës./Llapi.info