Inspektorët e veterinarisë në Komunën e Prizrenit në një qendër tregtare kanë hasur në produkte ushqimore me afat të skaduar.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në këto raste, në bazë të procedurave subjekti afarist gjobitet pas procesverbalit.
“Është brengosëse përgjegjësia e ulët e disa Qendrave të mëdha tregtare ndaj produkteve që shesin. Ndërmarrjet e mëdha afariste duhet të kenë edhe përgjegjësi më të mëdha ndaj qytetarëve. Rendi dhe ligji patjetër duhet të instalohet në Komunën tonë, ngase kjo papërgjegjësi i shkakton dëm shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Komuna ka paralajmëruar se në të ardhmen do të bëjë publikë emrat e operatorëve.
“Si masë e fundit paralajmërojmë që në raste të tilla në të ardhmen do të bëjmë publike emrat e operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm që veprojnë në Komunën e Prizrenit”, njofton komuna e Prizrenit.
Kjo komunë, por edhe kryetari i saj Mytaher Haskuka, shpesh kanë njoftuar për gjetje të produkteve me afat të skaduar.