Instituti EPIK në publikimin e radhës ka analizuar programin e Qeverisë së Kosovës, të miratuar javën e kaluar, ku kanë radhitur 165 zotimet e Qeverisë Kurti 2.
Përmes një komunikatë për medie, ata kanë sqaruar se qëllimi i publikimit është të vazhdojnë “traditën e de-konstruktimit të programeve të qeverive nga gjuha abstrakte dhe teknike e tyre në infografikat e qarta, të matshme dhe të kuptueshme për publikun e gjerë”.
“Ne kemi identifikuar 165 masa konkrete për të cilat është zotuar Qeveria e Kosovës në kuadër të programit të saj 2021-2025: nga vaksinimi i 60% të qytetarëve në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021 dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e deri tek sigurimi i 1,000 bursave studentore për vajzat dhe ofrimit të banimit të përballueshëm për 4,000 familje”, thuhet në publikim, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, tutje thuhet se “ne kemi tentuar të bëjmë përzgjedhjen e masave të Programit të cilat janë të qarta, konkrete dhe të matshme. Me fjalë të tjera, nuk kemi përfshi masat e programit të cilat në esencë nuk janë masa, por zotime abstrakte psh. “do të konsolidojmë funksionimin e kompanive publike”, “do të thellojmë bashkëpunimin”, “do të rishikojmë ligjet/strategjitë/politikat”, “do të forcojmë/fuqizojmë kapacitetet e institucioneve”, etj. Po ashtu, nuk kemi përfshirë masat e programit të cilat përbejnë detyrat e zakonshëm të qeverisë, psh. përmirësimi i llogaridhënies ndaj qytetarëve, rishikimi i proceseve të brendshme dhe aktivitete të ngjashëm”.
Sipas kësaj analize të publikuar nga EPIK, ministria me më së shumti detyra është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me gjithsej 38 masat, ndërsa ministria që nuk ka parapa asnjë detyrë konkret është Ministria për Kthim dhe Komunitete.
Duke pas parasysh numrin e lartë të zotimeve, EPIK ka përgatitur edhe një listë të zotimeve kyçe që burojnë nga Programi 2021-2025.
“Kur kemi analizuar programin e Qeverisë Kurti 1 jemi dakorduar se titulli më i përshtatshëm do ishte “Mision i (pa)mundur”. Për arsye të njëjta sikur atëherë kemi vendosur që titullin të mbajmë edhe për këtë program qeverisës. Kjo pasi që programi i asokohe, dhe i sotmi, janë diku në mes ideales dhe të pamundurës. Programi përmban masat e duhura, pothuaj në çdo sektorë. Sidoqoftë, zbatimi i Programit do varet nga disa të panjohura. Si do të financohen të gjitha 165 zotime? A do të arrijë mazhoranca e re të vaksinoj 60% të qytetarëve deri fund 2021? A do të tregoj qeveria fuqinë e nevojshme politike për të çkapur shtetin nga grupet e fuqishme të interesit të cilat dëshirojnë të ruajnë status-quonë në shoqërinë tonë? Dhe paralelisht me gjithë këtë a do të arrij qeveria të avancoj dialogun me Serbinë?”, thuhet në komunikatë.