CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82

I dyshuari për rastin ishte Vesel Elshani, rreth 70-vjeçar, i cili është denoncuar sërish gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet se e ka sulmuar seksualisht një kandidate.

Elshani është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, si dhe ndaj tij është iniciuar hetimi me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Ndërsa, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ndaj të njëjti ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprës penale “Sulmi Seksual”.

Ndryshe, burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Gazetën Sinjalin se viktima është një vajzë 30-vjeçare dhe rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke i zhvilluar orët e vozitjes dhe ndodhej bashkë me të dyshuarin në veturën e autoshkollës “Instruktori – Drenas”.

Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari e ka prekur nëpër trup, përfshirë organet gjenitale, e madje edhe e ka puthur, duke i thënë po ashtu fjalë të ndryshme – që e kanë alarmuar dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë

Pasi Policia është vënë në dijeni, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është siguruar prezenca e të dyshuarit.

I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar dhe ka mohuar të ketë ndodhur siç është denoncuar rasti.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulmi seksual”.

Edhe për rastin e mëhershëm, i njëjti ishte arrestuar dhe kishte përfunduar në mbajtje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.