Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar “konflikt” potencial, pasi Irani ka njoftuar për planet rreth rritjes së kapaciteteve të uranimut, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka me fuqitë botërore.
Në një konferencë për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Paris më 5 qershor, lideri francez ka bërë thirrje që “secili të ndihmojë në stabilizim të situatës dhe jo në përshkallëzim që mund të drejtojë vetëm në konflikt”.
Ai ka thënë se vendimi i Iranit për të zgjerur infrastrukturën bërthamore nuk përbën bazë për prishje të marrëveshjes së vitit 2015, e cila parasheh që Irani të lirohet nga sanksionet në këmbim të ndalimit të aktiviteteve bërthamore.
Pavarësisht premtimeve të liderëve evropianë për të ruajtur paktin, njoftimi i Iranit se do të rifillojë aktivitetet e pasurimit të iraniumit ndonëse ka premtuar se do të jetë pjesë e marrëveshjes, ka treguar sa jemi afër prishjes së marrëveshjes, ka thënë Macron.
“Kjo tregon qartë se kur ju vendosni njëanshëm që t’i jepni fund zbatimit të marrëveshjes, mos inkurajoni të tjerët të respektojnë atë”, është shprehur lideri francez, duke treguar hapur pakënaqësinë tij për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja.
Netanyahu, që është nisur këtë javë drejt Evropës për të mbrojtur vendimin amerikan, ka thënë në konferencë për media se ai as nuk ka tentuar të bindë Macronin për të ndjekur shembullin amerikan dhe të braktisë marrëveshjen sepse ai beson se e njëjta nuk do të funksinojë.
“Nuk i kam kërkuar presidentit Macron të largohet nga marrëveshja sepse besoj se ajo do të shpërbëhet nga pesha e forcave ekonomike”, ka thënë ai.
Netanyahu duket se u është referuar vendimeve të kompanive, Total, Allianz, Lukoil, Reliance dhe bizneseve tjera globale, të cilat muajin e kaluar kanë thënë se do të rikonsiderojnë të bërit biznes në Iran për shkak të gjobave miliarda dollarëshe, me të cilat mund të përballen ato për shkak të sanksioneve të SHBA-së.
Kompania franceze, PSA, e cila prodhon veturat, Peugeot dhe Citroen, ka njoftuar këtë javë se planifikon të largohet nga Irani, ku ka shitur 445,000 vetura vitin e kaluar.
Netanyahu ka thënë se në takimin e tij, i ka kërkuar liderit francez të fokusohet në atë se si “ të ndalohet agresioni iranian në rajon”.
Në udhëtimin e tij në Evropë, Netanyahu ka paralajmëruar për rritje të prezencës së shiitëve iranianë, në shtetet me shumicë sunite, siç është Siria, dhe se ky fakt “mund të nxisë ndonjë luftë fetare” e cila do të dërgojë më shumë refugjatë në Evropë.
Irani ka njoftuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) se ka nisur procesin për rritjen e kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit.
Nënpresidenti i Iranit, Ali Akbar Salehi, i cili kryeson Organizatën për Energji Bërthamore të Iranit, ka thënë se një veprim i tillë nuk shkel marrëveshjen bërthamore dhe kjo nuk nënkupton se “kanë dështuar” përpjekjet për ruajtjen e paktit.
Bashkimi Evropian ka deklruar se në vlerësim të parë, hapat e Iranit nuk përbëjnë shkelje të marrëveshjes.
“Megjithatë, në këtë pikëvështrim kritik, këto veprime nuk do të kontribuojnë në ndërtimin e besimit në natyrën e programit bërthamor iranian”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për politkë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, për agjencinë e lajmeve AFP.
Irani në anën tjetër ka insistuar se programi bërthamor është aty vetëm për qëllime të mbrojtjes.
Mirëpo Netanyahu ka thënë se rifillimi i prodhimit të armëve bërthamore ka për qëllim “shkatërrimin e Shtetit të Izraelit”.