Qytetarët e Podujevës po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta nëpër rrugë të ndryshme të kësaj Komune, shkruan Llapi.info
E gjendja më e keqe me punime që po vazhdojnë me ngecje të shumta, ka pasur gjatë ditës së djeshme rruga nacionale Prishtinë- Podujevë, e që qytetarët janë irrituar.
Në videon që është realizuar dje të cilën edhe kanë dërguar në redaksinë e Llapi.info, shihet se kjo magjistrale ka qenë e vërshuar nga uji dhe lloçi, gjë që ka penguar tejmase qarkullimin në këtë pjesë.
Ndryshe, ka më shumë se tri vjet që punimet në këtë rrugë kanë filluar, por që s’janë afër të përfundohen. E për dinamikën e punimeve të ngadalshme kanë reaguar edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës.
Në lidhje me këtë temë, pas kaq kohësh ka reaguar edhe deputeti nga Llapi, Fidan Rekaliu. Ky i fundit ka bërë edhe një pyetje parlamentare për të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj të parin e AAK-së, parti kjo e cila edhe ka në dorë Ministrinë e Infrastrukturës.
Rekaliu ka pyetur kryeministrin e Kosovës se a është në dijeni për neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë.
Duke shtuar për frekuentimin e kësaj rruge nga e cila kalojnë mërgimtarët, punimet po bëhen, siç ka shkruar ai, me dinamikë të ulët, pa cilësi dhe jashtë standardeve.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se lidh vendin tonë me pikën kufitare në Merdar, prej nga edhe udhëtojnë shumë bashkatdhetarë. I nderuar Kryeministër a jeni të informuar për problemet, neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë?”, ka shkruar ndër të tjerash në Facebook Fidan Rekaliu.
E në lidhje me këto punime, në një seancë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, këtë çështje e ka ngritur edhe deputeti nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli.
Ai ka kërkuar sqarim për mospërfundimin e punimeve në këtë magjistrale, e që njëherësh është edhe më e frekuentuara në Kosovë.
“Kërkoj edhe për rrugën Podujevë- Prishtinë pasi ka filluar në vitin disa vite më parë dhe ende nuk ka përfunduar dhe qytetarët janë të dëmtuar dhe irrituar, andaj kërkoj nga ministri ta jap një përgjigje. Gjithashtu kërkoj që në këtë rrugë të punohet me intensitet më të lartë”, pati thënë Pacolli, mirëpo MI vazhdon të heshtë.
Ndryshe, për zvarritjen në këtë magjistrale edhe është protestuar, teksa janë paralajmëruar protesta tjera nga grupet parlamentare në asamblenë komunale të Podujevës./Llapi.info