Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, të cilin dikur Vjosa Osmani e kishte shef partie, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani.

Mustafa tha se Osmani s’ka hequr dorë nga inatet politike dhe se 100 për qind po i shërben partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kam pritur që pasi të zgjidhet presidente të heq dorë nga inatet politike dhe nga një diskurs mjaft i ashpër politik, të cilin nuk e ka bërë. Kjo flet se ajo nuk ka treguar fare vullnet që të realizojë rolin e saj që e ka me Kushtetutë që të jetë përafruese, unifikuese edhe e subjekteve politike, por edhe qytetarëve. Kryesisht ose 100 për qind është vënë në shërbim të Vetëvendosjes”, tha Mustafa.

Ai theksoi se LDK është në rrugë të duhur, ndërsa thekson se gjitha hatërmbetjet në parti do të tejkalohen.

“Nëse kështu vazhdojnë atëherë, LDK jo që do të rikthehet, pasi s’ka çka të rikthehet se LDK është LDK, ka qenë një numër i njerëzve që e kanë dëmtuar LDK-në. LDK do të vazhdojë dhe të ketë rol të rëndësishëm në Kosovë… Nuk mund të them se ka diferencim, por mendoj se gjitha këto tejkalohet, pasi askush nuk mund të mohoj rolin e Agim Veliut në LDK dhe degës së Podujevës dhe jo vetëm të saj. Edhe Skënder Hyseni po ashtu prej kohës së Ibrahim Rugovës më tutje ka qenë në gjitha fazat një prej faktorëve të rëndësishme që ka dhënë kontributin e vet…njerëzit e kanë vendin e vet, nuk është punë i shtinë në listë apo jo, sepse kanë respektin e qytetarëve dhe anëtarësisë së LDK-së”, tha Mustafa. /KP/