Robert Bosch deri në vitin 2015 kur u themelua edhe zyrtarisht Gjykata Speciale, mbante rolin e ambasadorit të Holandës në Kosovë.

Kur po bëhen shtatë vjet që nuk është përfaqësues diplomatik, Bosch po thotë se deri më tash, Dhomat e Specializuara kanë bërë punë “jashtëzakonisht të keqe”.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Bosch ka thënë se “ka përshtypje që në Speciale, ka edhe ndikime politike, por që nuk mund ta shtjellojë më shumë”. I pyetur se cili është roli i institucioneve të Kosovës, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, thekson se Kosova është komplet e përjashtuar nga proceset në Hagë.

Bosch ka folur edhe për hezitimet e Holandës për liberalizimin e vizave e dialogun Kosovë-Serbi.

“Do të thosha se gjykata, deri më tani, ka bërë punë jashtëzakonisht të keqe. E ngadalshme, pa transparencë dhe me vendime të çuditshme. (Vendimi) i fundit për stafin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së ishte madje mizor. Ata duhet ta ndjekin penalisht personin që i ka lëshuar dosjet atje”, tha ai.

”Shkeljet në të ashtuquajturin raport i Marty-t ishin në lidhje me trafikimin e mundshëm të organeve, por Clint Williamson-i konkludoi se kjo nuk ka ndodhur, ata do të duhej që t’i kishin transferuar krimet e tjera në gjykatat në Kosovë”, tha ai.

“Si duket, UÇK-ja si organizatë është në gjurmë, por nuk ka ende ndonjë përfundim që të mund ta themi. Edhe gjatë luftës, ne kemi bashkëpunuar ngushtë me UÇK-në. Me këmbë në tokë”, shtoi ai.