Ish-diplomati britanik, Timothy Less, ka thënë se mendimin e diplomatëve të huaj për Kosovën e udhëheqin dy faktorë dhe njëri prej tyre është frika për humbjen e kontrollit mbi atë territor.

Në një intervistë për Blic.rs, Less ka thënë se ata nuk e kanë akuzuar Serbinë drejtpërdrejtë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por sipas tij, vlerësojnë mundësinë që Beogradi të ngrejë aksionet në Kosovë.

“Fakti më i rëndësishëm është se një grup prej rreth tridhjetë formacionesh paraushtarake të armatosura rëndë ishin të pranishëm në Kosovë dhe më pas vranë një polic. Deri më tani ata nuk e kanë akuzuar Serbinë për përfshirje të drejtpërdrejtë, por pa dyshim po vlerësojnë mundësinë që Beogradi të ngrejë aksionet në Kosovë duke armatosur dhe trajnuar popullatën vendase për të luftuar, në momentin kur diplomatët kërkuan deeskalim”, ka thënë ai.

Një faktor tjetër, shton ai, është se diplomatët janë të shqetësuar për humbjen e Kosovës, në të cilën mbështeten për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Pozicioni i negociatorëve u dobësua nga fakti se fuqitë më të fuqishme perëndimore e mbështetën hapur Kosovën javët e fundit, gjë që ua kufizoi hapësirën për manovrim. Në të njëjtën kohë, inkurajoi Kosovën që të forcojë pozicionin e saj, gjë që manifestohet në kërcënimet e Vjosa Osmanit për të braktisur dialogun, në pretendimet e Albin Kurtit se ka hyrë në një ngërç dhe me akuzat për anshmëri ndaj ndërmjetësve evropianë. Në këtë drejtim, diplomatët po luftojnë akuzat për njëanshmëri nga të dyja palët dhe synimi i tyre është të mbështesin të dyja palët në arritjen e marrëveshjes për statusin e Kosovës”, theksoi Less.

Përleshjet që pasuan mes sulmuesve dhe forcave të rendit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, zonë e banuar me shumicë serbe, rezultuan edhe me tre sulmues të vrarë dhe disa të arrestuar.

Zyrtarët e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi mohuan se kanë gisht në këto ngjarje.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011, por përmbushja e qëllimit duket e largët.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar kurrë.

Rundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar më 14 shtator, por nuk është raportuar për ndonjë përparim.

Kurti ka fajësuar ndërmjetësuesit evropianë për anshmëri – gjë që është konsideruar si “akuzë e pabazë” nga BE-ja.

Pas ngjarjeve në Banjskë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, ka thënë se, në ditët në vazhdim, do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në bisedime.

Thirrje për t’iu kthyer rrugës diplomatike Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka biseduar me udhëheqësit e të dyja vendeve dhe se ka kërkuar prej tyre që t’iu kthehen bisedimeve.